Çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare, përdhunimet u rritën me 40 % në 2019

Procedimet penale për përdhunim të të rriturve dhe të miturve, abuzim me fëmijët, për marrëdhënie seksual nën kërcënimin e armës, për vepra të turpshme dhe ngacmime seksuale, janë rritur me rreth 40 % gjatë vitit 2019, krahasuar me vitin 2018.

Ndërsa numri i dosjeve që prokuroria ka referuar në gjykatë për krimet seksuale gjatë vitit 2019 është rritur 85,71 krahasuar me vitin 2019. Ndërkaq, numri i të pandehurve për krimet seksuale është dyfishuar. Të dhënat alarmonte reflektohen në dokumentin e Prokurorisë së Përgjithshme për kriminalitetin gjatë vitit 2019, ku flitet për një shpërthim të krimeve seksuale.

Të dhënat zyrtare konfirmojnë se ngjarja e rëndë e rojes së një shkolle në Tiranë, i arrestuar për përdhunimin sistematik të një 15-vjeçareje, nuk është një rast i izoluar.

Më konkretisht, gjatë vitit 2018 janë regjistruar 29 procedime për veprat penale të marrëdhënies seksuale me të mitur si dhe për marrëdhënie seksuale me dhunë për të mitur nga mosha 14-18 vjeç. Janë referuar 8 dosje në gjykatë, ndërsa janë dënuar 6 të akuzuar për këto vepra të rënda.

Ndërkaq, gjatë vitit 2019, janë regjistruar 42 procedime penale për këto vepra penale, janë dërguar në gjykatë 33 dosje, ndërsa janë dënuar 11 persona si përdhunues dhe abuzues. Në total, për krime seksuale, janë regjistruar 158 procedime penale gjatë vitit 2019, janë referuar në gjykatë 89 dosje, ndërsa janë dënuar 49 persona. Në vitin 2018, prokuroria ka dërguar në gjykatë për t’i dënuar 44 të pandehur për krime seksuale, ndërsa në vitin 2019 ka dërguar 89 të pandehur.

Në lidhje me gjininë dhe moshën për të pandehurit për krimet seksuale, nga të dhënat statistikore rezulton se 99,10 % e të pandehurve (mbi 18 vjeç) janë meshkuj dhe 0,90 % janë femra.

Ndërkohë nga numri i përgjithshëm i të pandehurve meshkuj, 13,64 % janë të mitur (14-18 vjeç). Në këtë grup veprash, gjatë vitit 2019, është marrë si i pandehur edhe 1 shtetas i huaj. Në lidhje me arsimin e të pandehurve rezulton se 66,36 % e të pandehurve janë me arsim deri 9-vjeçar, 26,36 % me arsim të mesëm dhe 7,28 % me arsim të lartë. Për sa i përket gjendjes shoqërore nga të dhënat statistikore vihet re se 72,41 % e të pandehurve për krime seksuale janë të papunë, 22,41 % e të pandehurve janë nga sektori privat dhe 5,17 % të punësuar në sektorin shtetëror.

Gjithashtu, sipas dokumentit të Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se 63,06 % e të pandehurve për krime seksuale kanë vendbanimin në qytet. Pra, tendenca është e tillë që ka një prani më të madhe të këtij fenomeni në qytet.

Në lidhje me gjendjen gjyqësore të të pandehurve, 93,64 % e të pandehurve janë të padënuar më pare, 4,54 % e të pandehurve janë përsëritës për vepra penale të ndryshme nga ajo që procedohen dhe 1,82 janë përsëritës për të njëjtën vepër./shqiptarja.com