Çfarë thotë Kushtetuta për gjendjen e jashtëzakonshme?

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pas rritjes së vazhdueshme të rasteve me COVID-19 ka thënë se po diskutohet që Kosova të shkon drejt Gjendjes së Jashtëzakonshme, shkruan LAJME365.

Për këtë ide ka biseduar edhe me Këshillin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku këta të fundit e kanë mbeshtetur Gjendjen e Jashtëzakonshme të propozuar nga Kryeministri Hoti.

“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook, përcjell Lajme365.

Çfarë thotë Kushtetuta për gjendjen e jashtëzakonshme?

Kushtetuta e Kosovës, përcakton se “nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 131 me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti i vendit shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë.

“Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, thuhet në Kushtetutë.

Akti më i lartë juridik i vendit thotë se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Sa i përket kohëzgjatjes, Kushtetuta përcakton se gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh.

“Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej”, thuhet në paragafin 5 të nenit 131 të Kushtetutës.

Por, paragrafi 6 i po të njejtit nen, thotë se “kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit”./lajme365.com