Chabert: Dialogu Kosovë-Serbi të rifillojë menjëherë, gjendja është e paqëndrueshme

Franca kërkon që sa më parë të rifillojë dialogu i Kosovës me Serbinë

Këtë porosi ua ka transmetuar udhëheqësve politikë të Kosovës ambasadori i Francës në Prishtinë, Didier Chabert, gjatë ceremonisë për Ditën Kombëtare të Francës organizuar nga Ambasada franceze në Prishtinë.

Sipas tij, statusi i tanishëm është i paqëndrueshëm, ndërsa vazhdimi i dialogut kërkon vullnet të vërtetë nga të dyja palët për t’u angazhuar shpejt në negociata serioze, me dëshirën e përbashkët për të arritur një marrëveshje përfundimtare, kanë raportuar mediat vendore.

“Kosova meriton si një vend i pavarur për të gjetur vendin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare, por për këtë duhet që Kosova të arrijë normalizimin e marrëdhënieve të saj me Serbinë, sepse status quo-ja është e paqëndrueshme. Është thelbësore që dialogu të rifillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. Nënshkrimi i një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese, do të zgjidhte çështjet e mbetura në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të kontribuojë në stabilitetin rajonal”, ka deklaruar ambasadori Chabert.

Ai është shprehur se në Samitin e Berlinit, Franca dhe Gjermania kanë treguar gatishmërinë e tyre për të lehtësuar rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, sipas tij, vazhdimi i këtij lehtësimi kërkon vullnet të vërtetë nga të dyja palët për t’u angazhuar shpejt në negociata serioze me dëshirën e përbashkët për të arritur një marrëveshje përfundimtare.