Challandes: Do të synojmë fitoren

(nga TopSporti.com) – Selektori i Kosovës, Bernard Challandes, para ndeshjes së sotme të Kosovës ndaj Bullgarisë në Sofje, ka thënë se ekipi bullgar ka ndërruar me ardhjen e trajnerit të ri dhe se nuk është i njejti që u paraqit në Prishtinë.

“Ne do të bëjmë përpjekje për të luajtur lojën tonë dhe filozofinë tonë dhe nuk do t’i adaptohemi lojës së kundërshtarit. Bullgaria është një skuadër e fortë, e cila ka bërë ndryshime të shumta nga ndeshja që kishim në Prishtinë. E kam shikuar edhe lojën e tyre kundër Çekisë dhe ka qenë një angazhim i madh i tyre. Sigurisht se edhe për ne nuk do të jetë e lehtë të luajmë këtu, por do të synojmë që të arrijmë fitore. Taktika jonë nuk do të ndryshojë. Nuk jemi skuadër që luajmë vetëm në mbrojtje apo vetëm në sulm. Ne mund të luajmë me sistemin 4-3-3 apo 4-2-3-1,” ka thënë selektori i Kosovës para ndeshjes që luhet sonte.