Challandes: Duhet të luftojmë dhe të jemi të fortë mentalisht

Selektori i kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, është paraqitur sot në konferencën për shtyp, ku ka folur lidhur me të gjitha problemet që Kosova po përballet para dy ndeshjeve të radhës.

Kosova përballet me Çekinë dhe Anglinë në kuadër të Kualifikimeve për Euro 2020.

Para këtyre ndeshjeve, Kosova ka mësuar lajmin e hidhur për mungesën e disa prej emrave kryesorë të skuadrës.

Lidhur me këto dhe disa vendime të trajnerit për ftesat, ka folur Challandes, i cili ka shpjeguar gjithçka.

“Sigurisht se nuk është e lehtë me gjithë mungesat. Nëse Franca luan pa emra si Griezmann apo Mbappe, atëherë nuk është e njëjta situatë. Prandaj, e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Kjo do të thotë që si trajner, unë mund të qaj, unë mund të ankohem rreth mungesave, ose unë duhet të gjej zgjidhjet” ka thënë Challandes lidhur me mungesat.

“Sigurisht, unë kam zgjedhur të dytën. Unë duhet t’iu jap vetëbesim lojtarëve. Unë nuk mund të gjej zgjidhje lojtar për lojtar, por ne kemi vetëm në zgjidhje, është rotacioni kolektiv.”

“Ne duhet të jemi kompakt jo vetëm në fushë, por edhe në mentalitet. Duhet të luftojmë dhe të jemi të fortë mentalisht. Është puna ime të nxis lojtarët dhe të motivojë ata pasi luajmë me një nga skuadrat më të mira në botë (Anglia), si dhe një skuadër të mirë në Evropë si Çekia” ka thënë tutje zvicerani, raporton lajmi.net.

“Kam studiuar lojtarët e të dy skuadrave. Fokusi tani është tek Çekia. Ata kanë lojtarë të mirë dhe kanë luajtur ndeshje të mira edhe kundër Malit të Zi e Bullgarisë, duke marr 6 pikë. Ata luajnë me një presing të mirë dhe luajnë mirë në tranzicion. Është një skuadër e fortë fizikisht gjë që mund të na shkaktojë telashe. Ata kanë 4-5 lojtarë të gjatë. Gjatësia mungon tek ne. Është problematike të mbrohesh kundër 4-5 lojtarëve me gjatësi mbi 1.90. Kjo do të jetë sfidë për ne.”

Ndryshimet në skema?

“Jo, unë nuk do të ndryshoj sistemin tim. Vazhdoj t’i qëndroj pas filozofisë sime. Më e rëndësishmja për ne është të mbajmë filozofinë tonë, por, ne luajmë kundër kundërshtarëve shumë të mirë, dhe nëse them se ne do të luajmë ofensiv, nuk do të jetë e lehtë. Nuk mund të vendos për situatat, por nuk do të ndryshojë organizimin.”

Rikthimi i Valon Berishës

“Valon Berisha është lojtari i rëndësishëm tek ne. Ai ka pasur një kohë të vështirë, por tani ai ka pasur kohë të mira me Lazio. Shpresoj se ai mund të jap diçka për skuadrën. Dua të shoh këtë javë stërvitore të tijën dhe pjesëve tjetër të lojtarëve. Kemi disa lojtarë që nuk kanë luajtur aq shumë kohëve të fundit, por në konsultim me trajnerin kondicional, besoj se do të jemi në gjendje të vlerësojmë situatën e gjithsecilit. Gjithsesi, Valoni mbetet lojtar i rëndësishëm.”

Mungesa (ftesa) e Lirim Kastrati

“Unë duhet të sqaroj: 10 ditë më parë bëra listën ku ishte edhe Kastrati. Në këtë kohë, situata e Rashicës dhe Kolollit nuk ishte e qartë. Fola me Lirimin dhe i thash se mund të vish dhe të stërvitesh deri të premten, pastaj unë vendos nëse vazhdon me kombëtaren A ose jo. Në këtë pikë, ai bisedoi me agjentin dhe më njoftoi se nuk është i kënaqur me përgjigjen. Ai kërkoi garancion për minutazh. Kjo gjë nuk ndodh këtu. Asnjëherë nuk do të ketë garancion për ndonjë lojtar. Është rroli im. Është detyra ime. Nëse pranon ftesën, ti duhet të jesh gati, pa garancion. Ai tani do ta ndihmojë ekipin U21, por nuk e di nëse kjo ka qenë zgjedhja më e mirë ose vendimi më i mirë i tij. Sa i përket të ardhmes, unë nuk them asgjë.”

Lojtarët aktiv – forma e tyre?

“Sigurisht, unë kam informacionet për të gjithë lojtarët, është puna ime. Disa nuk kanë luajtur në këtë kohë, disa kanë luajtur, kurse disa kërkojnë skuadër. Është situatë e komplikuar. Por, ne kemi lajme të mira si për shembull Dresheviq dhe Muslija, të cilët janë lojtarë të rinj për skuadrën tonë dhe kanë pasur paraqitje të mira. Një mbrojtës më shumë për ne është shumë me rëndësi, pasi Xhemajli nuk ka luajtur. Për disa të tjerë mbetet të shihet pas seancave stërvitore.” / RTK