Cili është dënimi për Hashim Thaçin nëse shpallet fajtor

Presidenti Hashim Thaçi mund të dënohet deri në 3 vjet burgim nëse gjendet fajtor lidhur me deklarimet e tij për të mos respektuar vendimin e Qeverisë Kurti rreth masës së kufizimit të lëvizjes së qytetarëve.

Kallëzimin penal kundër Thaçit e ka dorëzuar sot në Prokurorinë e Prishtinës ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

LAJMI I FUNDIT: Xhelal Sveçla dorëzon kallëzim penal ndaj Hashim Thaçit

Kallëzimi penal sipas MPB-së është ngritur nën dyshimin se presidenti ka kryer veprën penale “Thirrje për rezistencë”.

Për këtë vepër penale Kodi Penal i Kosovës ka paraparë dënim deri në tri vite burgim.

“Kushdo që thërret të tjerët për rezistencë apo mosbindje ndaj vendimeve apo masave të ligjshme të nxjerra nga organi apo zyrtari kompetent, dënohet me burgim deri në tre (3) vjet”, thuhet në nenin 403 të Kodit Penal.

“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër-kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë. As Policia e Kosovës dhe as organet sigurisë nuk duhet ta zbatojnë këtë vendim kundër-kushtetues të qeverisë, sepse kështu edhe vetë bëjnë vepër penale”, citohet të ketë thënë presidenti.

Zëvendësministri Sveçla ka njoftuar sot se ka paraqitur këtë kallëzim penal ndërsa deri më tani Prokuroria e Shtetit e Policia nuk kanë hapur zyrtarisht hetim për këtë çështje.

Presidenti Thaçi pas deklaratës së tij e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Qeverisë për ndalimin e lëvizjes gjatë pandemisë së coronavirusit.

Deri më tani Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur se kush ka të drejtë në këtë rast./kallxo.com