Cili është opcioni i vetëm i Vetëvendosjes pas rrëzimit të Qeverisë?

Lëvizja Vetëvendosje nuk do t`i përgjigjet kërkesës së Presidentit Hashim Thaçi, për caktimin e një mandatari të ri, i cili do të mund të formonte qeverinë, pas rrëzimit të asaj të udhëhequr nga Albin Kurti.

Në një përgjigjeje me shkrim, Zyra për Media nga kjo parti kanë bërë të ditur se tanimë janë të përkushtuar me menaxhimin e situatës së krijuar nga virusi COVID-19.

“Deklaratat e Presidentit Thaçi, janë sinjale për të nisur përpjekjet e tij jo kushtetuese e të pasuksesshme. Sipas Kushtetutës së Kosovës, referuar nenit 82 ku flitet për shpërndarjen e Kuvendit, pika 2 e tij thekson që Presidenti mund të shpërndajë Kuvendin pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit, më tutje ne kemi tashmë dy dekrete atë të vitit 2010 dhe atë të vitit 2017, ku të dy presidentët në vitet e cekura, pas votimit të suksesshëm për mosbesimit ndaj Qeverisë, kanë shpërndarë Kuvendin, tashmë ka precedent, dhe është shndërruar në normë. Prandaj ne presim që ta tejkalojmë këtë situatë dhe pas kësaj, Presidenti të caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e VV-së.

Presidenti Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se të hënën do e dërgojë ftesën për mandatarin e ri, ashtu edhe siç përcaktohet me kushtetutë. / Koha.net