Çitaku reagon ndaj sulmeve të mediave serbe, thotë se askush nuk i merr seriozisht në SHBA

Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj shkrimeve të fundit në mediat serbe që botuan një artikull për një “lidhje dashurie” të fshehtë ndërmjet Çitakut dhe ish-Sekretares së Shtetit Amerikan, Madeleine Albright. Albright ishte në këtë funksion gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë gjatë administratës së presidentit amerikan, Bill Clinton.

Sipas mediave serbe, ambasadorja Çitaku është lezbike dhe po e mban të fshehtë një lidhje dashurie me Albright.

Ndërkaq, në reagimin e ambasadores kosovare në Washington thuhet se “ka kohë që disa media në Serbi merren në mënyrën më të ndytë dhe më agresive me mua . Thuajse çdo javë shpikin nga një storie të ultë dhe pashije për mua. Me këdo që takohem shkruajnë se jam në lidhje intime me të.”

Ajo ka shkruar se e di qëllimin tyre dhe se shkrime të tillë të mediave serbe askush nuk i merr seriozisht në SHBA.

“Por, ata së paku shpresojnë që me këtë lloj strategjie të ndytë do të ma bëjnë punën më të vështirë, sepse, sërish sipas tyre, eventualisht kjo lloj fushate do t’i detyronte njerëzit të hezitojnë të takohen e të shihen me mua në publik nga frika e sulmeve në tablloidet e sponzorizuara serbe”, thuhet në reagimin e saj.  

Çitaku ka shtuar se ndjen keqardhje për këtë fushatë të mediave serbe dhe se ato do të dështojnë.