Çitaku: Shtetasi rus i UNMIK-ut me dëshirë pengoi aksionin policor në veri, ndihmoi të vendosen barrikadat kundër policisë!

Ambasadorja kosovare në SHBA, Vlora Çitaku, ka reaguar ndaj raportimit të shefit të UNMIK-ut, Zahir Tanin, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku u diskutua për gjendjen në Kosovë.

Ky i fundit deklaroi se dy zyrtarët e UNMIK-ut të arrestuar në aksionin e fundit të Policisë së Kosovës, në veri të vendit, i ishin nënshtruar dhunës së tepruar dhe keqtrajtimit nga policia.

Por, Çitaku, gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit, theksoi se policia kosovare respekton standardet më të lartë të profesionalizimit dhe integritetit.

Ajo ka thënë se shtetasi rus, i cili është punonjës i UNMIK-ut, ka shfrytëzuar automjetin zyrtar të OKB-së për të penguar policinë në realizimin e aksionit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në Zubin Potok.

“Ai ka përdorur automjetin zyrtar të Kombeve të Bashkuara me targa të OKB-së për të ndaluar aksionin. Policia gjatë hetimeve ka gjetur një motosharrë në automjetin zyrtar, për të prerë drunjtë që më pas të vendosen si barrikada. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë me Policinë e Kosovës dhe të tregoj dokumentet identifikuese. Pas kësaj, Policia e Kosovës ka vazhduar me arrestimin e tij, ku është dërguar në stacion policor dhe është mbajtur në mbajtje. Madje i është dhënë trajtimi mjekësor. Pra, nuk ka asgjë serioze”, ka deklaruar ambasadorja Çitaku.

Për më tepër, ajo u shpreh se shtetasi rus “u bë me dëshirë pengesë apo mburojë e bandave kriminale” duke mohuar zërat se Policia e Kosovës i ka nën shënjestër diplomatët e huaj.

Po ashtu, Çitaku ka kërkuar hetime nga vet OKB-ja për pengimin e realizimit të aksionit policor nga zyrtari i UNMIK-ut me shtetësi ruse, raportojnë mediat kosovare.

“Çka do të ndodhte nëse njëri nga ne këtu do të pengonte një operacion policor këtu, apo në Moskë, apo në Berlin, ose kudo në botë. Qeveria e Kosovës plotësisht ka respektuar legjislacionin ndërkombëtar që rregullon statusin e diplomatëve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me UNMIK-un. A duhet ne të kuptojmë që mandati i OKB-s është zgjeruar për të përfshire edhe pengimin e zbatuesve të ligjit në mandatin e tyre? Një anëtar i misionit të OKB-së në Kosovë vendos jetën e zyrtarëve tonë në rrezik. Kërkojmë hetim të OKB-së me këtë sjellje të paprecedent”, ka theksuar ajo.

Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ajo ka thënë se Kombet e Bashkuara kanë ndihmuar Kosovën jashtëzakonisht shumë që prej vitit 1999 dhe se kosovarët i janë mirënjohës UNMIK-ut për kontributin e dhënë.

Megjithatë, Çitaku ka kërkuar sërish përfundimin e mandatit të këtij misionit të OKB-së në Kosovë, duke shtuar se nuk ka më arsye të vazhdojë mandati i UNMIK-ut marrë parasysh që Kosova është shtet i pavarur.