Çka deklaroi polici për konfliktin me 21 vjeçarin që rrezikoi të paralizohej

Një zyrtar policor inicialet e të cilit janë R. A, është arrestuar dje pasi që i njëjti dyshohet se kishte sulmuar një 21 vjeçar ky i fundit ditë më parë u shpëtua nga ana e doktorëve në QKUK për shkak se i njëjti rrezikohej të paralizohej.

Polici R. A. kishte rrëfyer para prokurorisë se ishte sulmuar fillimisht në vendin e tij të punës e më pas sipas tij ka është vetëmbrojtur pas sulmit ndaj tij.

KALLXO.com ka zbuluar se shkaktar i kësaj gjendjeje të 21 vjeçarit ishte një konflikt që kishte ndodhur më 5 prill në lagjen Velania në Prishtinë.

21 vjeçari po dyshohet se u rrah rëndë nga një zyrtar policor.

KALLXO.com ka kontaktuar me avokatin e policit i cili tregoi se çka kishte deklaruar polici para prokurorisë.

“Është një shqetësim shumë i madh dhe kemi të bëjmë me një zyrtar policor. Kemi të bëjmë me një zyrtar policor që ka qenë në vendin e tij të punës dhe është sulmuar nga një person që më vonë mbas lidhjeve që nuk po arrin prokuroria me i dëshmu thonë se ky qytetar paska pasur një sulm, pas një dite dikund a ku ta dijmë”, ka thënë avokati Mujaj.

Sipas tij polici ka rrëfyer se sulmin e ka kryer në vetë-mbrojtje.

“Polici ka qenë në vend të punës. Ai e ka përshkruar se është sulmuar nga një person në kabinë atje te varrezat e te varri i Presidentit dhe pastaj ka filluar përleshja ky është mbrojtur. Në një forcë proporcionale për me shti në kontroll por e ka marrë hapin i dyshimti dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Pra është një incident që ka zgjatur as gjysmë minuti”, ka përshkruar avokati i policit, ngjarjen e rrëfyer nga polici para prokurorisë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka përshkruar rastin se polici, e ka sulmuar fizikisht 21 vjeçarin në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit dhe si pasojë i dëmtuari është dashur të hyjë në operacion pasi që rrezikonte paralizimin e gjysmës së trupit.

KALLXO.com gjatë ditës së djeshme ka raportuar në lidhje me këtë rast.

Ngjarja sipas policisë ka ndodhur më 5 prill. Polici kishte raportuar se ishte sulmuar deri sa po bënte roje në lagjen Velania më saktësisht te varri i ish- Presidentit Ibrahim Rugova.

Ngjarja sipas policisë kishte ndodhur rreth orës 13 të ditës. Prokuroria Themelore e Prishtinës, më saktësisht Kryeprokurori Kujtim Munishi i ka shpjeguar KALLXO.com se 21 vjeçari më 5 prill kishte njoftuar IPK për rastin ndërsa një ditë më pas i është nënshtruar një operacioni në kokë për shkak të dëmtimeve të marra.

Gjatë ditës së sotme është bërë kërkesa dhe është marrë vendimi për paraburgimin e policit.

Polici. R. A. do të dërgohet në paraburgim për 30 ditë.

Tags: