Çka kanë të përbashkët Ahmeti e Haskuka?

Zyra Kombëtare e Auditimit ka shpalosur një element të përbashkët të kryetarëve të dy komunave më të mëdha të Kosovës.

Raporti i Auditimit për vitin 2018 ka vënë në pah se Kryeqyteti Administrativ i Republikës së Kosovës, Prishtina, dhe Kryeqyteti Kulturor i Kosovës, Prizreni, nuk ka arritë shifrën prej 75% të shpenzimit të investimeve kapitale.

Shpend Ahmeti, Kryetar i Prishtinës, ka arritur të harxhojë vetëm 71% të buxhetit për investime kapitale.

Mytaher Haskuka, Kryetar i Prizrenit, ka arritur të harxhojë vetëm 74% të buxhetit për investime kapitale.

Komuna të cilat sikurse Prishtina e Prizreni nuk kanë arritur pragun prej 75% të shpenzimit të buxhetit për investime kapitale janë edhe Mitrovica e Veriut,
Dragashi dhe Zveçani.

“Mos-përmbushja e programit për investimet kapitale do të rezultojë në realizimin e më pak projekteve, dëmtimin e tyre meqë ngecin, gjë që ndikon direkt në mirëqenien e qytetarëve si dhe në cilësinë e shërbimeve.” thuhet në Raportin e Auditorit.

Me nivelin kaq të ulët të shpenzimit të buxhetit për investime kapitale, Komuna e Prishtinës dhe e Prizrenit do të përjashtohen nga Granti i Përformancës të cilin do ta ndajë Qeveria e Kosovës gjatë këtij viti. Si pasojë, rreth 500 mijë banorë (sa vlerësohet të kenë këto dy komuna bashkë), do të mbeten të privuar nga qindramijëra euro, të cilat do të mund të shpenzohesh për të përmirësuar kualitetin e jetës së tyre.