Çka ndodh pas dorëheqjes së Kryeministrit Haradinaj?

Ramush Haradinaj sot dha dorëheqje nga pozita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pas thirrjes që i është bërë për t’u marrë në pyetje nga Gjykata Speciale.

“Përgjegjësia tani kalon te Presidenti për të filluar konsultat për të caktuar datën e zgjedhjeve”, tha sot Haradinaj, në deklaratën e tij të dorëheqjes.

Çka do të ndodh pas dorëheqjes së Haradinajt dhe cilat janë alternativat ligjore të cilat krijojnë zgjidhje për tejkalimin e kësaj situate?

Kushtetuta e Republikës së Kosovës jep përgjigjë të qartë për situatën e krijuar pas dorëheqjes së Kryeministrit.

Neni 95 i Kushtetutës, në pikën 5 parashesh që “Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.”

Sipas këtij formulimi, Presidenti i vendit mund të mandatojë një tjetër kandidat për Kryeministër i cili do të mund të siguronte votat e 61 deputetëve (nga 120 sa janë gjithsej) për të formuar Qeverinë.

Megjithatë, nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nuk mund të formohet Qeveria, sipas Nenit 82, pika 1, alineja 1 të Kushtetutës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës shpërndahet.

Krahas kësaj, nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës, në përputhje me Nenin 82, pika 1, alineja 2 të Kushtetutës së Kosovës.

Në rastet e shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e reja mbahen jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, në përputhje me Nenin 66, pika 2 e Kushtetutës së Kosovës.

Presidenti i Kosovës është përgjegjës për shpalljes e datës për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, në përputhje me Nenin 84, pika 3 të Kushtetutës së Kosovës.