COVID-19: Për sa pacientë ka kapacitete QKUK-ja?

Qe një javë në Kosovë janë paraqitur gati 1 mijë raste të reja me COVID-19, duke e çuar kështu numrin e të prekurve në vend në 2 mijë e 878 persona. Ndërkaq, numri i personave që janë të shtrirë në QKUK e në spitalet rajonale po i kalon pritshmëritë e ekspertëve shëndetësorë. Deri më tani vetëm në Klinikën Infektive të QKUK-së janë të shtrirë mbi 100 pacientë. Ndërkohë dhe disa klinika të tjera kanë të hospitalizuar dhjetëra pacientë. E SHSKUK-ja në total ka në gatishmëri rreth 500 shtretër për pacientët e infektuar me COVID-19. Mungesa po shfaqen edhe në staf mjekësor. Duhen më së paku 100 infermierë të rinj për ta menaxhuar situatën, shkruan Gazeta Express.

Në të gjithë Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës janë në dispozicion 500 shtretër për t’i pranuar pacientët e infektuar me COVID-19. Kështu ka bërë me dije për Gazetën Express, drejtori i SHSKUK-së, Basri Sejdiu.

“I kemi edhe spitalet regjionale. Edhe ato janë me kapacitetet e tyre. Do të thotë në total në QKUK janë diku rreth 500 shtretër në dispozicion për pacientët e prekur me Covid-19”, ka thënë Sejdiu.

Ndërsa QKUK-ja ka nisur të mobilizojë edhe klinika të tjera për t’i shtrirë pacientët e prekur me COVID-19. Tani përveç Dermatologjisë, Pulmologjisë e Mjekësisë Sportive, do të hapen edhe Neurologjia e Psikiatria. Të dy këto klinika do t’i kenë në dispozicion nga 70 shtretër. Nga numri i madh i rasteve me Covid-19 në Mjekësinë Sportive do të dërgohen plus 50 shtretër të tjerë. Ndërsa, gjendja në QKUK po konsiderohet alarmante nga shifrat e fundit të të prekurve me COVID-19.

“Neurologjia dhe Psikiatria do të hapen. Këto të dyja kanë në dispozicion nga 70 shtretër që i bie në total 140 shtretër. Mjekësia sportive pritet t’i zgjerojë kapacitetet edhe me 50 shtretër të tjerë”, ka thënë për Gazetën Express, Basri Sejdiu, drejtor i Shërbimit Klinik dhe Spitalor të Kosovës.

Mirëpo, problem tjetër për sistemin shëndetësor në Kosovë po del të jetë mungesa e stafit mjekësor.

Në QKUK ka mungesa për rreth 100 infermierë të rinj.

“Ne kemi mungesa të mëdha në SHSKUK për mjekë e infermierë. Bile për infermierë nevojat janë shumë të mëdha. Në këtë situatë na duhen edhe 100 infermierë t’i kemi. Mirëpo e kemi bërë një riorganizim të orarit që t’i menaxhojmë pak punët”, thotë Sejdiu.

E deri dje në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), me datë 30.06.2020, janë të shtrirë 111 raste me Covid-19 pozitiv. 66 raste kanë qenë duke u trajtuar në reparte me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive.

Sipas të dhënave të fundit, 2.878 është numri i përgjithshëm i të infektuarve nga koronavirusi në Kosovë. Prej tyre, 52 kanë vdekur dhe 1.577 pacientë janë shëruar.

Pas rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, ka miratuar disa masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes Covid-19, që shkakton ky virus.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, prezantoi disa nga masat e reja, duke paralajmëruar se nëse ato nuk zbatohen, Qeveria e Kosovës, do të rikthejë masat rigoroze që rekomandohen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Megjithatë, ministri Zemaj nuk elaboroi se për çfarë masash rigoroze bëhet fjalë. /GazetaExpress/