Daçiq i reagon Haradinajt për rol më të madh të Francës në dialog

Diplomacia serbe ka reaguar ndaj kërkesës së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që i ka bërë thirrje Francës të angazhohet edhe më tepër për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Kjo deklaratë ka nxitur reagimin e Beogradit.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se po shihet se sa Haradinaj respekton Gjermaninë e Francën si dhe liderët e këtyre shteteve evropiane.

Ai për mediat serbe ka thënë se vizitën e presidentit francez, Emmanuel Macron, në Serbi, e sheh si një mesazh të mirë për Kosovën, meqë, sipas Daçiqit, Macron po e viziton Beogradin dhe jo Prishtinën.

“E shoh se sa Haradinaj respekton rolin e Francës. Ata [udhëheqësit e Kosovës] më nuk e dinë ku godasin”, ka deklaruar Daçiq.

Më tej Daçiq ka treguar se si është sjellë Haradinaj në takimin e Berlinit, duke thënë ta ketë nënçmuar kancelaren Merkel dhe presidentin Macron.

“Ata në një moment i thanë: ‘Shfuqizojeni taksën, kurse ne do të sigurojmë që t’ju hiqen vizat’, kurse Haradinaj tha: ‘Kush do ta na garantojë këtë?’”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se për Prishtinën, Macron dhe Merkel nuk janë kurrfarë garancie.

Në fund, kryediplomati serb vlerësoi se Haradinaj nuk do të sillej në atë mënyrë sikur të mos kishte një mbështetje të madhe, duke pyetur se kush vërtetë dëshiron të arrihet përparim në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.