Damka mbron rrëmbimin e shtetasve turq, akuzon edhe Amerikën!

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga rradhët e komunitetit turk, Fikrim Damka, e ka cilësuar si fatal Raportin e Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq. Për më tepër, Damka ka akuzuar edhe aleatin më të madh të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po strehon terroristë.

Këtë deklarim Damka e ka bërë sot në Kuvendin e Kosovës gjatë diskutimit të
Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.

“Raporti i përpiluar nga ana e komisionit është një raport fatal dhe dështim juridik të cilin vet komisioni e ka bërë gabim me angazhimin e ekspertit ndërkombëtar, pikërisht kur e ka caktuar një ekspert nga Amerika dhe këtu kemi konflikt sepse Amerika është shteti i cili strehon kryesorin e kësaj organizate terroriste. Unë po pyes juve a ka logjikë që dikush strehon kryesorin e organizatës terroriste e pastaj të bëjë një ekspertizë të besueshme”, ka deklaruar deputeti turk, Fikrim Damka.

Damka më tej ka deklaruar se “Unë po mendoj që tërë kjo ka një prapavijë apo qëllime jo të mira. Një, me e ul reputacionin e shtetit tonë, dëmtimin e raporteve të shkëlqyeshme midis Kosovës dhe Turqisë, të sulmohet pa nevojë presidenti i Kosovës i cili iu përgjigj thirrjes së komisionit, të tregohet mosrespektimi dhe ulje e kredibilitetit ndaj institucioneve tona”.

Në emër të Grupit Parlamentar 6+, Damka ka deklaruar se janë kundër miratimit të Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar për dëbimin e gjashtë shtetasve turq.