Darko Tasiq denohet me 22 vite Burg: Familjarët e viktimave të pa kënaqur me vendimin e Gjykatës

Po kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre. Dhjetëra familjarë të viktimave të masakrës së Krushes së Vogël në Prizren, u mblodhën rreth orës 13 para Gjykatës Themelore në Prizren.

Ata e kanë vetëm një kërkesë: dënim të përjetshëm apo me vdekjen për kriminelin Darko Tasiq.

E kur ora shënoi 13 e 30 minuta, në sallën e gjyqit e nën pranga u soll i akuzuari Darko Tasiq.

Këtu kryetari i Trupit Gjykues, Artan Sejrani, shpalli fajtor të akuzuarin serb me denim unik prej 22 vjet  burgim.

Këtu Tasiq nuk tha ndonjë gjë rreth vendimit, por ishte avokati mbrojtës i tij i cili shkëmbeu fjalë me të për disa minuta.

Por, ndonëse Tasiq u dënua me 22 vjet burgim ky vendim zhgënjeu shumë protestuesit jashtë Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Ndonëse nuk pajtoheshin me vendimin, gjithçka po shkonte qetë deri në një moment.

Protesta eskaloi dhe u bë e dhunshme kur Tasiq nxorrë nga Gjykata për të hipur në automjetin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Menjeherë në drejtim të automjetit ja mësynë dhjetëra protestues, me të vetmin qëllim, kontaktin me të dënuarin.

Me grushta e me shishe uji po shprehnin revolten e tyre në drejtim të automjetit që barte njeriun që u dënua për masakrën ku u vranë 102 civilëve shqiptar.

E policia kishte vetëm një mënyrë për largimin e tyre, përdorimin e gazit lotsjellës.

Si pasojë e kësaj përleshjeje disa minutëshe, policë e protestues mbetën të lenduar.

As këmbët nuk i mbanin e emocione të forta i kapluan familjarët e viktimave.

Kur situata filloi të qetësohej paksa, automjeti u tërhoq prapa ndërsa nën sharje e fyerje, në stacion u kthye përsëri serbi Darko Tasiq.

Qytetarët protestuan edhe për disa minuta para dyerve të stacionit policor në Prizren.

Për t’u ndihmuar të lënduarve u nevojit edhe ambulanca derisa përfaqësuesit e fshatit Krushë e Vogël, bënë thirrje për përmbyllje të protestës.

Ata paralajmëruan edhe protesta të tjera rreth këtij vendimi.