Debati i hapur dëshmon se sa i rëndësishëm është Shaqiri për Zvicrën

Seleksionuesi i Zvicrës në futboll, Vladimir Petkoviq, në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes eliminatore për “Euro 2020” ndaj Irlandës në Dublin nuk e ka vajtuar aspak mungesën e Xherdan Shaqirit.

Ai ka insistuar se ekipi i tij nuk është i varur vetëm prej një futbollisti, duke iu referuar Shaqirit, i cili nuk do të jetë pjesë e Zvicrës për ndeshjet eliminatore ndaj Irlandës dhe Gjibraltarit, transmeton Koha Ditore.

Zyrtarisht thuhet se Shaqiri ka vendosur të fokusohet te stërvitjet me Liverpoolin për të fituar një vend titullari në ekip dhe për këtë arsye nuk i është bashkuar Zvicrës. Mirëpo jozyrtarisht sipas mediumeve zvicerane, Shaqiri ka kërkuar shiritin e kapitenit te Zvicra, kërkesë që është refuzuar nga Petkoviqi dhe për këtë arsye ka refuzuar ftesën për këto ndeshje.

Në pyetjet e shumta që iu bënë Petkoviqit gjatë konferencës në lidhje me Shaqirin, trajneri i Zvicrës u përgjigj shkurt.

“Ne kemi një sistem të lojës që nuk na bën të varemi nga një lojtar. Pra si ekip nuk jemi të varur nga lojtarët individualë”, është përgjigjur Petkoviq. “Nuk jemi në ankth, sepse Shaqiri mungon. Ne jemi mësuar të zëvendësojmë lojtarët që mungojnë, madje edhe Shaqirin”.

Edhe pse Shaqiri është golashënuesi më i mirë te Zvicra, me 22 gola të realizuara në 82 paraqitje, Petkoviq thotë se ka pranuar vendimin e tij për të mos ardhur. /Koha.net
https://www.koha.net/sport/182651/debati-i-hapur-deshmon-se-sa-i-rendesishem-eshte-shaqiri-per-zvicren/