Deda: Këto zgjedhje megjithatë nuk zgjidhën asgjë në Shqipëri

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka reaguar në lidhje me zgjedhjet lokale të mbajtura sot në Shqipëri duke thënë se këto zgjedhje megjithatë nuk zgjidhën asgjë në Shqipëri.

Deda njëkohësisht është shprehur se ka qenë fat i madh që zgjedhjet lokale në Shqipëri kaluan pa incidente të mëdha dhe se kjo tregon për pjekurinë e shqiptarëve.

Ky është reagimi i plotë i deputetit Ilir Deda:

Fat i madh që zgjedhjet lokale në Shqipëri kaluan pa incidente të mëdha. Kjo tregon për pjekurinë e shqiptarëve.

Këto zgjedhje megjithatë nuk zgjidhën asgjë në Shqipëri. Pjesëmarrja tejet e ulët dhe pa opozitën nuk i bën këto zgjedhje demokratike dhe prodhon bashki me legjitimitet të cunguar, ndërsa Qeverisë Rama i jep një goditje të rëndë. 30 qershori del të jetë fillimi i fundit të asaj Qeverie.

Në fund si rezultat do të ketë patjetër marrëveshje të Edi Ramës me opozitën, ku patjetër do të përfshihen edhe zgjedhje të reja lokale. Pyetja që do të mbetet është pse duhej të mbaheshin zgjedhjet sot?

Më e rëndësishmje se një marrëveshje afatshkurtër është pyetja se a mund të mbrrihet një marrëveshje e partive politike qeverisëse e në opozitë edhe deri te fillimi i çkapjes së shtetit shqiptar? Fillimin e fundit të narko-ekonomisë? A ka mbetë pikë dashurie ndaj shtetit (patriotizëm i vërtetë e jo folklorizëm) te politika shqiptare për atdheun e vet?

Shqiptarët si në Shqipëri (besa edhe në Kosovë dhe në Maqedoni) duhet të mësojnë që militantizmi partiak po e gërryen të ardhmen e gjithë popullit shqiptar, ku njerëzit ikin nga vendet e tyre, ndërsa shtetet shqiptare mbesin me institucione të dobëta dhe më të dobëtat në Evropë.

Nëse nuk mësohet ky mësim, zbrazja do të vazhdojë drejt vendeve perëndimore – aty ky ka demokraci, ligj, prosperitet ekonomik, mirëqenie e përkujdes dhe institucione të forta. Aty ku gjithçka është sipas ëndrrës së popullit shqiptar, ëndërr që assesi nuk po e realizon në shtetet e veta.