Dega e AAK-së në Pejë ka mbajtur sot konferencë shtypi të fundvitit.

Ali Berisha-Kryetar i Degës dhe Arbër Grabovci -Kandidat për kryetar të Pejës, kanë drejtuar një varg kritikash ndaj pushtetit komunal të qeverisur nga LDK dhe kryetarit Gazmend Muhaxheri.

“Sikur në të gjitha sferat e funksionimit edhe në raport me Pandeminë Covid 19, ishte një vit i keq-qeverises së Gazmend Muhaxherit dhe drejtorëve të tij. Kjo valle vazhdon prej ditës së parë. Aleanca si opozitë ka qenë konstruktive dhe e rreshtuar në favor të interesave të qytetarit. Aleanca me kandidatin e saj po punon dhe ka mobilizuar të gjitha strukturat në mënyrë që viti 2021 të jetë vit i ndryshimit të pushtetit në Pejë. Arbëri është zgjidhja për ta drejtuar Pejën ndershëm dhe pë ta ndërprerë këtë rrugëtim të keq të Muhaxherit me shokë.”-tha Deputeti Ali Berisha – kryetar i AAK-së në Pejë.

Arbër Grabovci kandidat i këtij subjekti për kryetar të Pejës, ka akuzuar qeverisjen komunale të Pejës për keqpërdorime me paranë e buxhetit të qytetarëve dhe për qeverisje me principin e pasurimit të drejtorëve.

“Ky ishte edhe një vit kur komuna e Pejës qëllimshëm humbi miliona euro në tendera e mbi tendera. Ishte edhe një vit i rëndë për qytetarët e Pejës, e në të cilin vazhduan të pasurohen drejtorët e komunës së Pejës. Atyre ju rrit pasuria e patundshmëria si në Pejë ashtu edhe në zonën e Rugovës. Një milion euro këta i kanë humbur me vetëdije nga mbivlerësimet e tenderave, mbi një milion të tjera me keqpërdorime dhe procese gjyqësore. Këto janë krejt para të qytetarëve. Dy herë kanë gënjyer dhe kanë marrë dy mandate. Unë po punojë sinqerisht me shumë qytetarë që ndershëm tja këpusim këmbët këtij soji. Vetëdija qytetare çdo ditë po ngritet. ka qytetari proaktive në Pejë dhe bashkë me ta, do të punojmë ditë e natë që njerëzit të cilët e meritojnë të shkojnë prapa grilave, mos ti shohim në komunë. Jam i bindur se do tja dalim. Unë po e shoh se nga panika, komunarët tash i janë kthyer fushatave fyese me rrjete sociale por ne se kemi dert atë punë. Kushdo që don ndershëm, sinqerisht, pa hajni, pa korrupsion, do të jetë krah meje dhe do jem krah tij.”-tha mes tjerash kandidati i AAK-së për kryetar të Pejës, Arbër Grabovci.

Konferenca e sotme ka filluar me shprehjet e ngushëllimeve për të gjitha viktimat që humbën betejën me Covid 19.