Dega e PDK-së në Klinë akuzon kryetarin Elezaj për punësime jashtëligjore në kohën e COVID-19

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Klinë ka akuzuar kryetarin Zenun Elezaj për punësime jashtëligjore në kohën e pandemisë së coronavirusit.

PDK në komunikatën dërguar mediave thotë se kryetari Elezaj ka mbajtur intervista për punë, përkundër thirrjeve të institucioneve shëndetësore që të qëndrohet në shtëpi, transmeton Telegrafi.

“Drejtoria e Arsimit vendos të mos e zbatojë as vendimin e Qeverisë e as të vendimin e vet të dt.26.03.2020 dhe me datën 2.4.2020, zyrtarja ligjore del me njoftim me nr.prot. 119/2020 për intervistë me gojë që do të mbahet me datën 6.4.2020 për konkursin nr.04-111-5129/2020 të datës 7.2.2020, mësimdhënës klasor në SHFMU “Avni Zhabota”, Shtupel, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, përhapjen e pandemisë dhe duke jua mohuar mundësinë e pjesëmarrjes në intervistë kandidatëve të cilët duhet të kalojnë nëpër hyrjet e ndaluara të Klinës nga policia e Kosovës. Megjithatë intervista u mbajt”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Komunikata e plotë:

“Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, gjatë fushatës së tij ka premtuar në vazhdimësi ngritjen e cilësisë në shërbime me qytetarë dhe sidomos në respektimin e ligjit dhe cilësisë në arsim. Nuk po arrin as për së afërmi të mbajë premtimin e tij për ngritje të cilësisë në arsim, por as respektimin e ligjit dhe procedurave ligjore, aq më tepër në këtë kohë krize.

Qeveria e Kosovës, me vendim nr. 01/09, dt: 13.03.2020 për shkak të pandemisë e vendosi në karantinë Komunën e Klinës. Pas këtij vendimi edhe kryetari Zenun Elezaj del me vendim me datën 15.3.2020, të cilin vendim e ka hequr nga webfaqja e Komunës, postimi i të cilit mbetet ende në FB zyrtar të komunës, ku Drejtoria e Administratës së Komunës njofton qytetarët se nga data 16 mars nuk do të ketë asnjë shërbim për qytetarë në të gjitha drejtoritë e Komunës.

Drejtoria e Arsimit në Klinë më datë 26.3.2020 del me një vendim nr.prot. 118/2020, vendim të cilin e ka hequr më vonë nga faqja zyrtare e komunës, me të cilin njofton se pezullohen për kohë të pacaktuar procedurat e konkursit nr.04-111-5129/2020 të datës 7.2.2020. Po ashtu anulon edhe konkursin me nr.04-111-9202/2020, dt.12.3.2020, mësimdhënës për gjuhë shqipe në SHFMU ”Isa Boletini” në Drenoc.

Drejtoria e Arsimit vendos të mos e zbatojë as vendimin e Qeverisë e as të vendimin e vet të dt.26.03.2020 dhe me datën 2.4.2020, zyrtarja ligjore del me njoftim me nr.prot. 119/2020 për intervistë me gojë që do të mbahet me datën 6.4.2020 për konkursin nr.04-111-5129/2020 të datës 7.2.2020, mësimdhënës klasor në SHFMU “Avni Zhabota”, Shtupel, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, përhapjen e pandemisë dhe duke jua mohuar mundësinë e pjesëmarrjes në intervistë kandidatëve të cilët duhet të kalojnë nëpër hyrjet e ndaluara të Klinës nga policia e Kosovës. Megjithatë intervista u mbajt.

Po ashtu me datën 7.4.2020, Drejtoria e Arsimit del me njoftim nr.prot.139/2020 për intervistë me gojë të kandidatëve për datën 10.4.2020, në zyrën e DKA-së. Prapë duke anashkaluar edhe thirrjet e ekspertëve shëndetësor për qëndrim në shtëpi, sidomos në këto dy javë të rrezikshme të pandemisë. Po ashtu mos krijimin e mundësisë për pjesëmarrje të të gjithë kandidatëve për shkak të ndalesave në hyrje-dalje të Klinës.

Përveç këtyre ka angazhuar në proces mësimore të gjithë kandidatët e pranuar në konkurset nr.04-111-727/2020, dt.08.01.2020 dhe nr.04-111-2889/2020, dt.22.1.2020, ani pse ka pasur ankesa në shumicën e vendeve të shpallura, ku ligjërisht duhet të pritet deri në kthimin e vendimeve nga Inspektoriati i punës i cili mbikëqyrë procedurat e pranimit me Ligjin e Punës, si dhe duke ditur së MASHT, më datën 12.3.2020 ka ndërprerë procesin e rregullt mësimor në të gjitha institucionet e arsimit në Kosovë.

Kjo është udhëheqja e Kryetarit Zenun Elezaj, në vend se të kujdeset për shëndetin e qytetarëve,në vend se të mbajë premtimet e tija për respektim të ligjeve dhe cilësisë, keqpërdorë kohën e pandemisë për punësime jashtëligjore, por sigurisht që do të përgjigjet para drejtësisë dhe qytetarëve të Klinës”./Telegrafi/