Prizreni kundër hidrocentraleve

Komuna e Prizrenit, të hënën ka organizuar konferencë me temën “Për zhvillim të qëndrueshëm në Rajonin e Zhupës – Kundër Hidrocentraleve”, në të cilen është nënshkruar një deklaratë ku i kërkohet organeve kompetente që të anulohet vendimi i ndërtimit të hidrocentraleve të planifikuara në rajonin e Zhupës.

Pjesë e kësaj konference ishin drejtuesit më të lartë të komunës së Prizrenit, ministra e zv/ministra, deputetë, kuvendarë , përfaqësues të fshtrave të Zhupës dhe ata të shoqatave për mbrojtjen e mjedisit. Në fillim të kësaj konference, kryetari Haskuka, tha se është i frustruar me gjendjen që ka të bëjë rreth paralajmërimit të ndërtimeve të hidrocentraleve në Zhupë, duke thënë se nuk ka informacione të hollësishme rreth kësaj çështje.

Nënkryetarja e për Komunitete, Memnuna Ajdini, tha se: “Ne po ndajmë jo vetëm shqetësimin e banorëve të Zhupës, për dëmet që shkaktohen me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve”.

Shqetësimet e tyre rreth kësaj çështje i paraqiten edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, Zafir Berisha, Arbër Rexhaj, Drita Millaku, Salih Zyba dhe ministrI, Rasim Demiri e zv/ministri, Qerim Bajrami, të cilët thanë se do të angazhohen në zgjidhjen e këtij problemi në instanca përgjegjëse dhe  për pasojat e mundshme që mund të paraqiten në rast të ndërtimit të këtyre hidrocentraleve.

Ndërkaq, i pranishëm në këtë konferencë ishte edhe, Hasim Kryeziu, nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, i cili foli për punimet që nuk lejohen sipas ligjeve në fuqi , sepse mund të dëmtojnë ekosistemet ujore.

Më pas, të gjithë pjesëmarrësit nënshkruan deklaratën në të cilën kërkohet anulimi i vendimeve për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë.