Dënim me kusht për katërshen që duke përgatitur fli shkaktuan dëme nga zjarri

Të akuzuarit për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm Petrit Gjergji, Arjetë Gjergji, Rrahman Haliti dhe Elife Haliti, janë dënuar me nga shtatë muaj burgim me kusht.

Sipas aktgjykimit të shpallur të premten nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”. Gjithashtu, ata janë ngarkuar me 50 euro shpenzime të paushallit që do ta paguajnë në mënyrë solidare, ndërsa për fondin e kompensimit për viktimat e krimit, secili veç e veç, do të paguajnë nga 30 euro. Ndërkaq, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil.

Para se të shpallej aktgjykimi, katër të akuzuarit e kanë pranuar fajësinë për një vepër të tillë penale. Në deklarimet e tyre, secili veç e veç, kanë thënë se rasti ka ndodhur nga pakujdesia, pasi që kanë qenë duke pjekur flija, kur është përhapur zjarri dhe se më pas nuk kanë arritur që ta ndalnin atë. Të akuzuarit kanë kërkuar falje për atë që ka ndodhur, duke kërkuar një dënim sa më të butë. Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokurori Ilir Morina dhe më pas e ka aprovuar edhe gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.

Prokurori Morina ka plotësuar dhe ndryshuar aktakuzën tek cilësimi juridik, ashtu që sipas tij në vend të fjalëve veç e veç, ai ka thënë se duhet të jetë në bashkëkryerje, duke e shtuar nenin 31. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 12 qershor 2019, Petrit Gjergji, Arjetë Gjergji, Rrahman Haliti dhe Elife Haliti akuzohen se më 21 mars 2019, në ora 13:00, kishin shkuar në fshatin Zhiti të Podujevës, përkatësisht në shtëpinë e të dëmtuarit Shaban Tahiri, ku kishin ndezë zjarr për të përgatitë ushqime tradicionale.

Siç edhe thuhet në aktakuzë, zjarri kishte përfshirë tre-katër hektarë hapësirë fushore me bari të thatë, e më pas kishte depërtuar edhe në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Tahiri, ku është djegur tërësisht shtëpia e vjetër dhe është shkaktuar dëm material rreth 5000 euro. Ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, nga neni 365 par.1, lidhur me par.6 dhe nenin 31 të KPRK-së. / Koha.net