Deputeti i LDK-së thotë se votimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit u manipulua

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vendosur që ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga pozitat e saj në këtë parti.

E lidhur me këtë vendim ka reaguar deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, e ka quajtur vendim skandaloz.

Ai ka thënë se ky shkarkim përmes emailit i Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i cili është iniciuar nga njerëzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetëm një manipulim interneti e asgjë më shumë.

Tutje Avdyli ka thënë se ekziston mundësia që rezultatet e këtij sondazhi Online mund të jenë manipuluar prandaj nuk ka vlerë as juridike e as obligative për askënd.

Osmani ishte pjesë e anëtarësisë së kryesisë së LDK-së dhe nënkryetare e saj.

Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto pozita erdhi nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.

E postin e nënkryetarit të LDK-së, pas shkarkimit të Osmanit është propozuar që ta zë Hoti.

Kujtojmë se edhe më parë Osmani kishte dalë kundër qëndrimeve të LDK-së.

Osmani për një kohë kishte prishur raportet me Isa Mustafën kur nuk e kishte votuar për Kryeministër në dhjetor të vitit 2014.

Mirëpo, Osmani ishte pajtuar me Mustafën dhe kishte përkrahur Avdullah Hotin për Kryeministër në zgjedhjet e 2017-ës, kur LDK dështoi, po ashtu, të dalë e para.

Osmani përfundimisht ishte pajtuar me Kryetarin e LDK-së në zgjedhjet e fundit partiake kur Mustafa e pranoi për Nënkryetare dhe kërkoi votat e partisë për ta bërë edhe Shefe të Qeverisë.

Ky është postimi i plotë i Avdylit:

Vendimi i skandaloz për kinse shkarkimin permes Email të Vjosa Osmanit nga organet drejtuese të LDK-së, i inicuar nga njerzit pa legjitimitet qytetar, paraqet vetem një manipulim interneti e asgje më shumë. Votimi i përmes email është një vendim mashtrues dhe frigacak si gjithmonë i disa njerzëve që skanë guxim qytetar të maten e thirren si pronarë të LDK-së . Këta se kanë problem edhe ti manipulojnë rezultatet. Egziston mundesia që rezultatet i ketij sondazhi Online mund te jenë manipuluar prandaj ska vlerë as juridike as obligativ për askënd. Ne dhe secili aktivistë i LDK-së do e konsiderojnë këtë vetëm si nje sondazh pavlerë derisa ky vendim të mos mirret konform rregullave demokratike.