Deputeti i PDK-së e përkrah kryeministrin Albin Kurti

Sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, mbajtja e referendumit të Serbisë edhe në Kosovë, nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë.

Në një bisedë telefonike më Paparacin, Shala tha se mbajtja e referendumit cenon integritetin territorial të Kosovës.

“Nuk duhet të lejohet në asnjë mënyrë mbajtja e referendumit, pasi kjo është ndërhyrje direkte në sovranitet. Referendumi nuk mund të mbahet parimisht në Kosovë pasi nuk jemi pjesë e Serbisë”.

Sot gjatë ditës, kreu i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, spanjolli Josep Borell, ka dal hapur pro mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë. Ai tha se njerëzve duhet t’iu lejohet ushtrimi i të drejtës së tyre për votë, derisa përmend se në të kaluarën ka qenë misioni i OSBE-së ai që është marrë me ndërmjetësimin e grumbullimit të votave.

Ndërsa, deputeti i PDK-së ia rikujton Borrell se për të mbrojtur territorin, Kosova dhe shtetet e BE-së e kanë paguar me çmim të lartë.

“Është definitivisht shqetësuese insistimi I Serbisë për mbajtjen e referendumit. Edhe BE-ja mund të bëjë thirrje për ushtrim të drejtës së votës, mirëpo asnjë formë nuk duhet të mbahet pasi është cenim i integritetit territorial, që është pagua me çmim të lartë, që vet edhe shtete e BE-së kanë dhënë shumë për këtë territor”.

Gjithashtu edhe kreu i Qeverisë së Kosovës s’është pajtuar që të organizohet referendumi i Serbisë edhe në Kosovë, derisa ka shtuar se serbët me shtetësi të dyfishtë mund të votojnë përmes postës apo edhe në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti, dje pas bisedës që kishte pasur me Borellin, kishte deklaruar se” Referendumi në territorin sovran të një shteti tjetër nuk është praktikë e pranuar nga asnjë vend demokratik”.

Më 16 janar, Serbia do të mbajë referendum për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin, që është kush për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.