Deputeti i VV-së: Thaçi nuk duhej të shkonte në Hagë si President i Kosovës, kjo e dëmton vendin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se publikimi i aktakuzave nga Gjykata Speciale mbi Presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli ka trazuar politikisht Kosovën.

Ai ka thënë se Presidenti Hashim Thaçi është dashur të japë dorëheqje me t’u publikuar aktakuza, ndonëse ajo është e pakonfirmuar.

“Në raste të tilla ku kemi pasur edhe në të kaluarën kur ndonjë zyrtar lartë është ballafaquar me akuza të tilla ka dhënë dorëheqje. Kjo ka qenë praktikë shumë e mirë që e ka ruajtur kredibilitetin e institucioneve të Kosovës”, është shprehur Abrashi në Rubikon.

“Kemi pasë rastin e Ramush Haradinajt ku dy herë radhazi ka dhënë dorëheqje. Tek rasti i Presidentit, ai paraqet kategori më të lartë të përfaqësimit institucional. Në Hagë është dashur të shkojë si Hashim Thaçi, jo si Presidenti i Kosovës. Kjo e dëmton Kosovën”.

Abrashi ka thënë se ka qenë gabim i madh votimi në Kuvendin e Kosovës i Gjykatës Speciale.

“Nga momenti kur është marrë barra e fuqizim të kësaj gjykate, të gjithë e kemi ditur se kur do të vjen puna deri këtu. Kjo është arsyeja pse VV dhe disa parti tjera ka qenë kundër votimit të kësaj gjykate”.