Deputeti turk Damka kërkon shkarkimin Ambasadorit Gjergj Dedaj pse kundërshtoi memorialin turk në Tiranë

Ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjergj Dedaj, ka dalë në përkrahje të kundërshtuesve të ngritjes së memorialit për viktimat e tentim grusht-shtetit në Turqi, në vitin 2016. Kjo e ka shtyrë deputetin e Kuvendit të Kosovës nga rradhët e komunitetit turk, Fikrim Damka, që të kërkojë shkarkimin e Ambasadorit Dedaj.

Në një postim në profilin e tij në rrjete sociale, Dedaj ka shkruar “Jo memorial politik, të Turqisë së Erdoganit, në Tiranë!”.

Në vend të kësaj, Ambasadori Dedaj ka propozuar që në vend të saj të ngritet ndonjë memorial i Gjenocidit të Perandorisë Otomane, i Masakrës së Tivarit, Krimeve të Komunizmit, i Luftës së Kosovës, por asnjëherë i politikës aktuale të Turqisë së Erdoganit!

Lidhur me këto qëndrime të shprehura nga Gjergj Dedaj, ka reaguar Fikrim Damka, deputet i Kuvendit të Kosovës nga rradhët e komunitetit turk.

Damka në profilin e tij në rrjete sociale, në gjuhën turke ka shkruar: “Ne jemi të habitur me reagimet e Ambasadorit të Kosovës në Shkup, të cilat tejkalojnë lirinë e mendimit dhe çdo kufi të mundshëm dhe të cilat arrijnë deri në gjuhë të urrejtjes”.

“Është e papranueshme që dikush që përdor një gjuhë të tillë të urrejtjes të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit duke udhëhequr misionin e saj diplomatik. Qysh nesë do të inicojmë dërgimin e shkresave të nevojshme në Presidencë dhe Ministri të Jashtme për ta thirrur këtë person në qendër dhe për t’i dhënë fund detyrës së ambasadorit dhe për të filluar punimet e nevojshme për përfundimin e karierës së tij në shërbimin shtetëror”, ka shkruar Fikrim Damka.