Dëshmori Ejup Kryeziu u dekorua me urdhrin “Hero i Kosovës”

Sot, në oborrin e familjes së dëshmorit të kombit, Ejup Kryeziu, në Pagarushë, është organizuar ceremonia e dhënies së dekoratës dhe vendimit “Hero i Kosovës”, i ndarë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Këtë dekoratë, familjes së dëshmorit, ia dorëzoi këshilltari i tij, Bislim Zyrapi.

Në këtë ceremoni morën pjesë, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zëvendësministrat, Çerkin Dukolli, i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Isni Kilaj, i Ministrisë s Diasporës, Rexhep Mazreku, i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Vesel Krasniqi, i Ministrisë së Bujqësisë, bashkëluftëtarë të Ejup Kryeziut dhe qytetarë të shumtë.

Fillimisht Bislim Zyrapi, këshilltar i presidentit, ja dorëzoi vendimin dhe dekoratën, familjes së Ejup Kryeziut, dhe lexoi vendimin e presidenti, i cili në bazë të ligjit për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, nxjerr vendimin: Dëshmori Ejup Kryeziu, dekorohet me urdhrin “Hero i Kosovës”, urdhër i cili ju jepet personave që kanë bërë vepra trimërie dhe sakrifice, si dhe për veprimtari apo akte të guximshme në kohë lufte apo paqeje.

Më pas, duke marrë fjalën në këtë ceremoni, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, shprehi kënaqësinë e tij për dhënien e dekoratës “Hero i Kosovës”, për dëshmorin Ejup Kryeziu, i cili ra heroikisht, më 2 qershor të vitit 1999. “Kjo na nderon neve të gjithëve, e në veçanti veprën e dëshmorit Ejup Kryeziu, por edhe familjen e tij, familje e cila gjatë tërë luftës, përveç dëshmorit, i ka dhënë shumë luftës, pasi ishte strehë e UÇK-së, ishte një familje dhe një shtëpi në të cilën janë ushqyer të gjithë ushtarët që vinin për të hyrë në luftë, ishte depo dhe ishte gjithçka tjetër për luftën e lavdishme të UÇK-së”, tha mes tjerash kryetari Begaj, në fjalën e tij.

Ndërsa kryetari i degës së OVL të UÇK-së, në Malishevë, Metush Kryeziu, pasi uroi familjen dhe bashkëluftëtarët për këtë dekoratë, tha se “fjalët janë të pakta për këtë dëshmor dhe këtë familje, e cila me çdo gjë që kishte, ishte në shërbim të luftës dhe strehë e UÇK-së”.

Ndërsa Hafir Kryeziu, i mbijetuari i vetëm i luftimeve, kur ka rënë edhe Ejup Kryeziu, ka evokuar kujtime të momentit të rënies. “Me urdhër ishim duke shkuar në ndihmë të pjesës së luftimeve përreth Kleçkës, dhe gjatë udhëtimit, kemi rënë në pritë. Ne ishim katër, Milaim Beha, Kujtim Krasniqi, Ejup Kryeziu dhe unë, dhe në luftime të pabarabarta, pasi ishim katër ushtarë të armatosur me automatik dhe grana dore, por kemi luftuar më shumë se 30 minuta, derisa janë vra Ejupi, Kujtimi dhe Milaimi, ndërsa unë isha i plagosur dhe ashtu i plagosur kam arritur të mbijetoj”, ka treguar ai, i cili në tërësi e ka treguar ngjarjen, kur ranë heroikisht në luftime, Ejup Kryeziu, Milaim Beha dhe Kujtim Krasniqi, më 2 qershor të vitit 1999.

Në fund, në emër të familjes, Ruzhdi Kryeziu, i ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje n këtë ceremoni, si dhe për dhënien e dekoratës “Hero i Kosovës”, Ejup Kryeziu, njofton Komuna e Malishevës.