Dështon dërgimi i listës së kandidatëve për Avokat të Popullit në Kuvend

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione ka dështuar sot të dërgojë listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit në seancë për votim.

Kjo pasi nuk pati kuorum në momentin e votimit për shkak të largimit të anëtarëve të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Këta të fundit dhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu nuk pranuan të votojnë pa një interpretim ligjor se, pse nuk po dërgohen tre anëtarë siç e parasheh ligji, por katër.

Kryetarja e komisionit, Duda Balje tha se raporti është juridikisht në rregull dhe se në Kuvend duhet të dërgohen katër kandidatë për votim për shkak se dy kandidatë kanë pikë të njëjta.

Por, këtu reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba i cili tha se kjo ndodh kur kandidati i tretë dhe i katërt kanë pikë të njëjta, e jo kur kandidati i parë dhe i dytë kanë pikë të njëjta.

Kritika të njëjta për procedurën shfaqi edhe deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, e cila kërkoi që kandidatët të renditen sipas pikëve. Ndaj kësaj reagoi kryetarja Balje, e cila tha se me këto interpretime, po e shkelin rregulloren e Kuvendit të Kosovës./KP/.