Detaje nga Operacioni i Policisë në Prishtinë

Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë, ka të bëjë me veprimtari të mashtrimit.

Teksa nuk ka dhënë informacione të detajuara, Policia e Kosovës ka thënë se përveç Prishtinës, operacioni është duke u realizuar edhe në lokacione në rajonin e Ferizajt.

“Sot me 31 mars 2021, Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente është duke realizuar një operacion policor, i cili ndërlidhet me veprimtari të mashtrimit”, ka thënë për Insajderin, Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.

Siç ka raportuar sot Gazeta Insajderi, njësitet Speciale të Policisë së Kosovës kanë zhvilluar sot një bastisje në selitë e dy kompanive private në lagjen ‘Pejton’ në Prishtinë.

Dy kompanitë që janë subjekt i bastisjes dyshohet se merren me aktivitetet e qendrave të thirrjeve, të njohura si “Call Center”, ka mësuar gazeta.

Bastisja e objekteve ka filluar rreth orës 11:00. /Insajderi.org