Dhjetëra të vrarë nga shpërthimi në Mogadishu

Autoritetet në Mogadishu thonë se të paktën 80 njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të fuqishëm të një makine bombë, në një kryqëzim në pjesën jugperëndimore të kryeqytetit të Somalisë.

Zyrtarët thonë se ka gjasa që numri i viktimave të rritet. Disa njoftime flasin për rreth 90 të vrarë.

Dëshmitarët thonë se shpërthimi ndodhi në një postobllok në zonën që njihet si pika lidhëse mes kryeqytetit Mogadishu dhe qytetit Afgoye.

Sipas njoftimeve paraprake kamioni i mbushur me lëndë shpërthyese kishte në shënjestër një zyrë taksash në kryqëzimin e rrugëve ku automjetet ndalojnë për të paguar tarifat e rrugës.

Një dëshmitar i ngjarjes i tha shërbimit të Zërit të Amerikës në gjuhën somaleze se kishte parë gjak dhe pjesë të trupave të njerëzve të shpërndara kudo.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Megjithatë grupi terrorist al-Shabab që ka lidhje me al-Qaidën, ka ndërmarrë sulme të ngjashme në të kaluarën. / VOA