Diaspora, shansi i fundit për Nismën

Votat e diasporës, të cilat mund të shkojnë në favor të koalicionit Nisma – AKR – PD, do të jenë mundësia e fundit që ky subjekt ta kalojë pragun zgjedhor dhe të bëhet pjesë e Kuvendit të Kosovës. Madje analistët vlerësojnë se Nisma mund të bëhet edhe pjesë e Qeverisë së ardhshme po që se arrin të marrë ulëse në Parlament, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Të martën në mbrëmje Qendra e Numërimit të Votave (QNR) ka përfunduar rinumërimin e votave në 314 vendvotime. Ndonëse nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk u bë kurrfarë krahasimi i rezultatit para dhe pas rinumërimit, për koalicionin Nisma – AKR – PD gjithçka është e qartë.

Ata konsiderojnë se pas rinumërimit të votave kanë arritur ta kalojnë pragun dhe t’i sigurojnë 6 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Mirëpo këtë entuziazëm të Nismës mund ta konfirmojë ose ta përmbysë vetëm numërimi i votave të diasporës, i cili ka nisur të mërkurën dhe pritet të përfundojë sot deri në fund të ditës.

Njohësit e çështjeve politike, gjersa theksojnë se Nisma aktualisht varet nga votat e diasporës, pohojnë se hyrja e Nismës në Kuvendin e Kosovës i ndërron rrënjësisht kalkulimet për koalicionin, që do ta formojë qeverinë e re. Kësisoj ata theksojnë se në përbërjen e Qeverisë koalicioni Nisma – AKR – PD mund të bëhet i domosdoshëm. /Zëri/