Dinosha i reagon Vujiçiqit: Mali i Zi nuk flet me Kosovën përmes Beogradit

Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, ka reaguar ndaj një lajmi të publikuar në portalin Analatika, më datë 3 tetor, e që lidhet me një kumtesë të “Lidhjes së Serbëve e të Malazezëve”.

Në reagimin Ambasadës së Malit të i në Kosovë, e nënshkruar nga Dinosha, thuhet se kjo lidhje është krijuar për të përkrahur Listën Serbe.

Kjo Lidhje e ka kategorizuar si skandal mospjesëmarrjen e ambasadorit Dinosha në përurimin e kësaj lidhje, e prirë nga Slobodan Vujiçiq.

Dinosha ka shprehur bindjen se Mali i Zi nuk do të komunikojë me Republikën e Kosovës “përmes oficerit serb për lidhje i cili ka qenë prezent në formimin e Lidhjes së Vujiçiqit, por përmes ambasadorit të vetë në Kosovë, i cili po ashtu nuk ka marrë pjesë në këtë akt”.

“Meqë dje jam përmendur në një kumtesë për opinion të ‘Lidhjes së Serbëve e të Malazezëve’ (portali Analitika, 3 tetor), të cilën e ka nënshkruar kryetari i kësaj lidhjeje të formuar pardje, z. Slobodan Vujiçiq, jam i detyruar që, për hir të opinionit, me nënshkruesin e kumtesës të sqarohemi për ca gjëra që ai i inicion”, ka thënë në fillim të letrës së tij ambasadori Dinosha, të cilën e ka argumentuar në tri pika.

“Së pari, z. Vujiçiq nuk ka harruar ta informojë opinionin saktësisht se ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, edhe pse i ftuar në mënyrë të rregullt, nuk ka marrë pjesë në formimin e Lidhjes së tij. Por, z. Vujiçiq ka harruar që të njëjtin opinion ta informojë se Ferhat Dinosha nuk ka marrë pjesë në formimin e Lidhjes së përmendur sepse e ka ditur se ajo është e projektuar t’i vihet në shërbim dhe në zgjedhjet e 6 tetorit të përkrahë Listën Serbe, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, gjë që është në kundërshtim me politikën zyrtare të Malit të Zi; lidhjes e cila në vet emrin e saj malazezët i vendos në plan të dytë; lidhjes së cilës i ka ardhur ora për ‘një kishë dhe një gjuhë’ dhe lidhjes e cila në vet emrin e saj i përjashton pjesëtarët e kombësive të tjera me origjinë nga Mali i Zi”, ka shkruar Dinosha në gjuhën malazeze.

Së dyti, sipas tij, “Vujiçiq nuk ka harruar të thotë se Dinosha do të vinte po të bëhej fjalë për formimin e Lidhjes së Shqiptarëve dhe te Malazezëve”.

“Por, z. Vujiçiq ka harruar të thotë se lidhja e vërtetë mes shqiptarëve dhe malazezëve ka kohë që është formuar. Që nga viti 1999 kur Mali i Zi i ka pasur dyert e hapura për shqiptarët e përndjekur nga Kosova, të cilët kanë qenë të detyruar të lëshojnë vatrat e tyre përpara krimeve të regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Ka harruar të thotë se kjo lidhje është forcuar kur Mali i Zi i pavarur ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe është vulosur kur dy shtetet kanë shkëmbyer ambasadorët”, ka thënë ai.

Pika e tretë sipas Dinoshës, është ajo që “Vujiçiqi nuk ka harruar të thotë se mosprezenca e tij në formimin e Lidhjes së tij është gjest jodiplomatik i barabartë me skandalin”.

“Por, z. Vujiçiq ka harruar të thotë që koha së shpejti do t’ia vërtetojë se gjestin diletant të barabartë me skandalin do të mund ta kërkojë pikërisht në formimin e ‘Lidhjes së Serbëve e të Malazezëve’, i cili nuk do të ketë mundësi të flasë në emër të diasporës malazeze në Kosovë e as t’u drejtohet institucioneve të Kosovës në atë emër”, ka thënë Dinosha. “Sepse, Mali i Zi nuk do të komunikojë me Republikën e Kosovës përmes oficerit serb për lidhje i cili ka qenë prezent në formimin e Lidhjes së Vujiçiqit, por përmes ambasadorit të vetë në Kosovë, i cili nuk ka marrë pjesë në këtë akt”, ka shtuar në fund të reagimit të tij, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha.