Diskutohet mbi rëndësinë e Vettingut në gjyqësor

Sistemi i drejtësisë duhet të çlirohet nga ndikimi i politikës. Procesi i Vettingut është i domosdoshëm si instrument për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit në çdo nivel.

Kjo ishte tema e cila u shtjellua sot në tryezën “Vettingu – hapi drejt forcimit të gjyqësorit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, organizuar nga Partia Socialdemokrate. Ky është njëri nga hapat e parë për ta bërë pjesë të debatit Vettingun, e tashmë në Kuvend është iniciuar edhe kërkesa për debat parlamentar.

Gjatë tryezës, deputetja Shqipe Pantina dhe përfaqësues të shoqërisë civile diskutuan mbi rëndësinë e këtij procesi, por edhe vështirësitë potenciale gjatë zhvillimit të tij. Kurse si i ftuar i veçantë, Kryetari i Komisionit për Çështje Ligjore, Administratë Publike dhe të Drejtat e Njeriut në Shqipëri – Ulsi Manja, foli mbi përvojën gjatë këtij procesi në Shqipëri, duke veçuar rëndësinë vitale që ka vullneti politik për këtë proces, njofton PSD.