Diskutohet tema e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës

Në takimin e iniciuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e kryesuar nga Ministrja Adrijana Hodžić, u trajtua tema e furnizimit me ujë në rajonin e Mitrovicës, me theks të veçantë në veri, njofton MAPL.

Në takim morën pjesë edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, Këshilltari pranë Zyrës së Kryeministrit për politika të ujit, Baton Begolli, Drejtori i Përgjithshëm i KEDS Alper Erbas, Drejtori i Zyrës Ligjore në KEDS, Arber Krasniqi, Drejtori Ekzekutiv për rrjetin në KEDS, Alpin Dogan dhe Drejtori i Ujësjellësit Rajonal Mitrovicës Sami Miftari.

Si rezultat i diskutimeve, të gjithë të pranishmit u dakorduan që të zhvillohen mekanizma për të lehtësuar funksionimin e furnizimit me ujë në Mitrovicë.

Të gjitha palët ranë dakord për të dhënë kontributin e tyre për të siguruar që të gjithë qytetarët të kenë qasje në furnizim me ujë pa ndonjë kufizim, njofton MAPL.