Dita e Kushtetutës: Kush janë funksionarët që shkelën aktin më të lartë juridik të shtetit

Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Për 12 vjet, akti më i lartë juridik i Republikës së Kosovës, u sfidua, u shkel, e nuk u mbrojt sa duhet.

Më 9 prill të vitit 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u përmbush vullneti shekullor i qytetarëve për krijimin e shtetit të Kosovës edhe ligjërisht, përmes votimit të Kushtetutës në Kuvend.

Por, për 12 vjet, akti më i lartë juridik pati sfida të shumta, duke qenë se qysh nga fillimi kishte mangësi. Ajo, u shkel e nuk u mbrojt sa duhet nga vet mekanizmat e paraparë për ta mbrojtur atë.

Ishte vitin 2010, kur presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu u konstatua nga Gjykata Kushtetuese se “e ka shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës”, përkatësisht nenin 88.2.

Shkelja kishte të bënte me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të Republikës dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Më 25 qershor të vitit 2010, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Rrustemi e kishte inicuar këtë çështje, së bashku me 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës.

Një tjetër rast kur u konstatua shkelje, ishte edhe zgjedhja e Behgjet Pacollit si President i Kosovës në vitin 2011. Gjykata Kushtetue e kishte shpallur jo kushtetues vendimin e Parlamentit të Kosovës për zgjedhjen e Pacollit President.

Pacolli ishte shpallur president me 22 shkurt të vitit 2011, me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme. Ai u zgjodh president në raundin e tretë të votimit. Të pranishëm në sallë, asokohe gjatë tri raundeve të votimit ishin vetëm 67 deputetë, ndërsa sipas Kushtetutës në dy raundet e para kërkohen dy të tretat e votave për zgjedhjen e presidentit.

Pikërisht mungesa e 80 deputetëve të pranishëm në sallë në dy raundet e para të votimit, sipas LDK-së, është arsyeja kryesore, se pse Gjykata Kushtetuese e shpalli jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Mocioni ishte inicuar nga 34 deputetët e LDK-së dhe AAK-së, të cilët kërkonin opinonin e Gjykatës rreth procedurës së zgjedhjes së Pacollit në postin e presidentit

Në njoftimin publik të Gjykatës Kushtetuese, thuhej se ajo njëzëri ka vendosur që të shpallë kërkesën të pranueshme dhe me shumicë votash, shpall se: “Vendimi i Parlamentit të Kosovës lidhur me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës me datë 22 shkurt 2011 është jo kushtetues, pasi që është në kundërshtim me kërkesat e nenit 86 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe parimet demokratike të mishëruara aty.”.

Një tjetër shkelje e Kushtetueses, ishte viti 2015. Shkelja kishte të bënte me disa pjesë të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, konkretisht në dy marrëveshje të nënshkruara në atë kohë ish-kryeministri, Isa Mustafa.

Gjykata kishte konstatuar se parimet e këtij asociacioni, siç janë përcaktuar në marrëveshjen e 25 gushtit të vitit 2015 nuk janë tërësisht në përputhshmëri me nenet që kanë të bëjnë me kapitujt mbi barazinë para ligjit, të Drejtat dhe Liritë Themelore dhe kapitullin mbi të drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve te tyre.

Kushtetuesja kishte konstatuar se marrëveshja që të jetë e vlefshme duhet të plotësojë standardet kushtetuese dhe duhet te jene ne pajtueshmëri me kapitujt e saj.

Rastin në Gjykatë e kishte dërguar, presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga.

Më pas, kërkesa pasoi një periudhë tensionesh të brendshme politike për shkak të kundërshtimit nga ana e partive opozitare ndaj marrëveshjeve të arritura në bisedimet me Serbinë në fund të muajit gusht.

Tutje, rasti i fundit të cilin Gjykata Kushtetuese e konstatoi si shkelje, ishte vendimi i Qeverisë Kurti, i marrë me 23 mars 2020, për kufizimin dhe lirinë e levizjës së qytetarëve gjatë orëve 10:00 – 16:00 dhe 20:00 – 06:00.

Gjykata konstatoj se këto kufizime që janë bëre  nga qeveria nuk janë të përcaktuara me ligj andaj biejnë në kundërshtim me garancitë që përmbajnë nenet 35, 36 dhe 43 të kushtetutës. Kushtetuesja thekson se këto të drejta mund të kufizohen vetëm me ligj.

“Gjykata vendosi njëzëri se Vendimi [nr. 01/15] i 23 marsit 2020 i Qeverisë nuk është në përputhshmëri me nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës  në lidhje me nenet 35 [Liria e Lëvizjes], 36 [E drejta për privatësi], 43 [Liria e Tubimit] të Kushtetutës dhe me nenin 2 (Liria e lëvizjes) të Protokollit nr. 4, nenin 8 (E drejta për jetë private dhe familjare) dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe asociimit) të KEDNJ-s”, thuhet në vendimin e gjykatës/Insajderi/.