DOKUMENT – Këto janë masat e reja të Qeverisë për COVID-19

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen korresponduese, (mbledhje elektronike), mbledhja e 13, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19.

Vendiemt e Qeverisë mund ti shini në këtë Link:

Vendiemt e Qeverisë

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Me një vendim të miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës është autorizuar Ministri i Shëndetësisë për plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private dhe plotësimin e Udhëzimin Administrativ për Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore, duke tejkaluar të gjitha procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar. Plotësim ndryshimi i këtij akti nënligjor përfshin vetëm përcaktimin e kushteve/kritereve specifike për të kryer testime molekulare dhe serologjike  për Covid -19.

Gjithmonë në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës.