Dokument: Krejt çka dihet për pesë të arrestuarit për terrorizëm në Kosovë

Policisë dhe Prokurorisë në Kosovë iu deshën tre muaj hetime për të arrestuar pesë persona nën dyshimin se të njëjtit po përgatisnin sulme terroriste në Kosovë, shkruan Insadjeri.org.

Për të arrestuarit është caktuar masa e paraburgimit 30 ditë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovë.

Gazeta Insajderi ka arritur të siguroj dosjen e plotë ku u është caktuar masa e paraburgimit për pesë të dyshuarit.

Në dokument thuhet se të arrestuarit janë: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqi, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Pesë personat e arrestuar që nga muaji mars i këtij viti kanë bërë përpjekje për të ndërtuar një strukturë organizative për kryerje të sulmeve terroriste në Kosovë.

Sipas dokumentit të siguruar nga Insajderi, të dyshuarit kanë pasur role të ndara për kryerjen e veprave penale për të cilat janë arrestuar.

Ndaj Ardijan Gjurajt, Ergim Sylës, Nuhredin Skenderit dhe Mentor Bellaqës kishin filluar hetimet për veprën penale përgatitje e veprave terroriste, ndërsa Shkodran Krasniqi po dyshohet për import, eksport, furnizim, transportim, prodhim apo ndërmjetësim e shitje të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Në total të tre të dyshuarit nga ana e Prokurorisë po dyshohen për tre vepra penale të cilat lidhen me njëra tjetrën.

Dokumenti i plotë:

Sipas Prokurorisë Ardijan Gjuraj, Ergim Syla dhe Nuhredin Skënderi po dyshohen se kanë kryer veprën penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste

Kurse, Mentor Bellaqa po dyshohet se ka kryer veprat penale “përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” lidhur me veprën penale “kryerja e veprës terroriste” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, Shkodran Krasniqi po dyshohet se ka kryer veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, ndërmjetësimi dhe shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Në kërkesën e prokurorisë thuhet se ekziston frika se të pandehurit po të mbrohen në liri mund t’i qasen arratisë për t’i ikur përgjegjësisë penale para së cilës ndodhen dhe në këtë mënyrë do të jenë të paqasshëm për drejtësinë

Prokuroria ka pretenduar se ekziston edhe rreziku i përsëritjes së veprave penale, duke marrë për bazë peshën e veprave penale, rrethanat në të cilat të njëjtit kanë vepruar, e duke marrë për bazë edhe karakteristikat e tyre personale e veçmas rrezikshmërinë shoqërore të veprave penale. Gjithashtu thuhet se rezulton se të njëjtit mund të përfundojnë veprat penale për të cilat është bërë përgatitje paraprake.

Prokuroria ka thënë se kanë ardhur në përfundim se asnjëra nga masat alternativa nuk do të jenë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë, përkatësisht përfundimin e suksesshëm të hetimeve në këtë rast.