DOKUMENT – LDK shkarkon Vjosa Osmanin nga pozita e saj

Lidhja Demokratike e Kosovës kësaj radhe ka zgjedhur të marrë masa ndaj nënkryetares së saj, Vjosa Osmanit, e cila hapur dhe disa herë me radhë kundërshtoi vendimet e organeve të partisë.

Ky është dokumenti  me të cilin kryetari i partisë, Isa Mustafa, hedh në votim shkarkimin e Vjosa Osmanit dhe zëvendësimit të saj me Avdullah Hotin që tani është kryeministër.

Sipas dokumentit, votimi do të zgjas vetëm sot gjatë ditës dhe mbyllet në orën 19:00, ku pritet të dihet nga Këshilli i Përgjithshëm nëse janë për shkarkimin e kryeparlamentares Osmani.

“Situata me COVID 19 nuk lejon akoma të mblidhemi në një takim të Këshillit të Përgjithshëm, prandaj kërkoj të vendosim në mënyrë elektronike”, thuhet në letrën e Isa Mustafës, ku tregon edhe opsionet që janë zgjedhja e Avdullah Hotit si nënkryetar dhe shkarkimi i Vjosa Osmanit.

Si një prej arsyetimeve për shkarkim të Osmanit, në këtë letër përmendet fakti se ajo kundërshtoi krijimin e Qeverisë nga LDK e, sipas tyre, edhe pas krijimit ajo u shpreh publikisht se “kjo nuk është Qeveri e LDK-së”.

Dokumenti thotë se votimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit u bazua në nenin 24, pika 24.1, lidhur me nenin 14, pika 14.2 dhe nenin 39 të Statutit të LDK-së.

Sidoqoftë, Musatafa e kishte paralajmëruar një hap të tillë në disa paraqitje publike, ku thuhej se Vjosa Osmani do të përballet me shkeljen e statutit dhe ndaj saj do të merren masa.

Ndryshe, Vjosa Osmani kishte kundërshtuar partinë e saj edhe para disa vitesh, por nuk ishte marrë asnjë vendim nga organet e partisë./Reporteri.net/.