DOKUMENT -Pozitat e larta që do të zgjedhen me asistencë të ekspertëve britanikë

 

Borde të Agjencive të pavarura që merren me energjinë, miniera, prokurimin e media do të zgjedhen nga Kuvendi i Kosovës me asistencë të ekspertëve britanikë të rekrutimit që do të angazhohen nga Ambasada Britanike në Kosovë.

Pozitat që do të asistohen nga ekspertët britanike janë pjesë përbërëse e memorandumit që kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe Ambasadorit të Britanisë së Madhe Nicholas Abott.

Në listën e pozitave që janë në kompetencën e Kuvendit janë: Avokati i Popullit, komisionieri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, bordi i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, bordi i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Bordi i RTK, bordi i Zyrës e Rregullatorit të Energjisë, Autoriteti i Pavarur i Konkurrencës dhe bordi i Organi Shqyrtues i Prokurimit. Kjo listë mund të shtohet në vartësi të kërkesave të palëve nënshkruese të memorandume.

Përderisa në memoradumin e nënshkruar me Kuvendin janë listuar pozitat që do të përfshihen ekspertët britanikë, një gjë e tillë nuk është bërë në memorandumin e nënshkruar me Qeverinë.

Në memorandumin me Qeverinë palët janë pajtuar për parimet. Është cekur se ekspertët britanik do të përfshihen në konkurset për pozitat e lira të larta drejtuese në institucionet e administratës shtetërore dhe institucionet tjera shtetërore sipas Ligjit për Zyrtarët Publikë.

Ekspertët britanikë do të përfshihen edhe në pozitat e lira të larta drejtuese në Ndërmarrjet Publike, si dhe pozita të tjera të lartë drejtuese që rregullohet me ligje të veçanta, të cilat i kërkon njëra Palë, dhe me të cilat pajtohet Pala tjetër.

Memorandumi ka paraparë shumë detaje teknike, detyrimet e palëve por ka edhe zotime për zbatim të rekomandimeve për personat më meritorë nga ekspertët britanikë.

Në këtë dokument thuhet edhe se  palët duhet të bien dakord për një listë të përbashkët të pozitave të lira të larta, rekrutimi i të cilave do të mbështetet nga ky projekt.

“Institucionet e Kosovës zotohen të zgjedhin kandidatin më të mirë/të ranguar më së larti nga lista e ngushtë e përgatitur nga partneri zbatues”, thuhet në pikën 9 të këtij memorandumi.

Tutje, pika 10 e të dy memorandumeve thotë se qeveria dhe Kuvendi i Kosovës “zotohet që të zbatojë rekomandimet nga raporti i partnerit zbatues dhe të rifillojë proceset nëse nuk identifikohet asnjë kandidat i mirë, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.”

Memorandumet si me Kuvendin ashtu edhe me Qeverinë e Kosovës, përfshijnë të njëjtën përmbajtje në nenet e tyre.

Sipas nenit 1 të tyre, në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi, qëllimi i memorandumit të mirëkuptimit është të mbështesë përpjekjet e përbashkëta për të siguruar që të emërohen udhëheqës të fortë, të pavarur dhe profesionalë të institucioneve dhe organeve publike përmes një procesi të drejtë dhe transparent të rekrutimit. Projekti synon të ndihmojë institucionet e Kosovës në rekrutimin e një liste të dakorduar të pozitave të larta.

Njëjtë si në dy marrëveshjet paraprake, Ambasada Britanike pritet të angazhojë një partner të jashtëm zbatues, pra ekspertë të rekrutimit për të ndihmuar në proceset teknike të rekrutimit për pozitat e lira të larta të identifikuara.

Përveç kësaj, partneri zbatues do të mentorojë dhe këshillojë institucionet vendore dhe do të ofrojë rekomandime për komisionet e rekrutimit dhe praktikat më të mira të rekrutimit.

Përveç asistencës direkte profesionale që është paraparë në memorandum, palët janë pajtuar që do të ketë edhe monitorim shtesë nga organizatat e shoqërisë civile.

Pika 1 e nenit 4 në të dyja memorandumet thotë se Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria e Kosovës zotohet t’u japë statusin e vëzhguesit dhe qasje të plotë OJQ-ve lokale të interesuara për të monitoruar proceset e rekrutimit nëpër institucionet e synuara të Kosovës.

Ambasada Britanike që nga viti 2018 e ka angazhuar Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) për monitorimin e konkurseve për pozita të larta drejtuese. BIRN monitoron konkurset në të cilat janë të përfshirë ekspertët britanikë të rekrutimit, por edhe konkurse të tjera që hapet dhe procesohen vetëm nga institucionet vendore. Deri më tash, BIRN ka publikuar dy raporte të monitorimit të rekrutimit dhe ka zbardhur shumë shkelje të bëra nëpër konkurse, por ka publikuar edhe konkurse që kanë rezultuar me zgjedhjen e personave meritorë.

Në memorandumin e nënshkruar nga Ambasada Britanike me Qeverinë dhe Kuvendin është paraparë edhe mundësia që partneri i jashtëm zbatues të ndihmojë proceset teknike të rekrutimit për pozitat e identifikuara nga distanca, përmes video lidhjeve nga Mbretëria e Bashkuar duke: mentoruar dhe këshilluar komisionet e rekrutimit në përgatitjen e shpalljes, monitoruar proceset e filtrimit të aplikacioneve, monitoruar intervistimin e kandidatëve, rekomanduar kandidatët e suksesshëm.

Ky nenë është vendosur në rast se do të ketë vendime për kufizim të lëvizjeve për shkak të COVID-19.

Qeveria dhe Kuvendi kanë marrë obligim që të sigurojë hapësira që plotësojnë kushtet e distancës sociale, dhe që janë të pajisura me gjithë teknologjinë e nevojshme – kompjuter, kamera dhe mikrofon, që të mundësojnë komunikimin nga distanca mes partnerit zbatues dhe komisioneve rekrutuese gjatë procesit të filtrimit të aplikacioneve dhe intervistimit të kandidatëve.

Në memorandumet në fjalë, janë të përcaktuara edhe pikat se kur mund të përfundojë marrëveshja mes institucioneve të përfshira.

Sipas dokumentit, palët mund të përfundojnë pjesëmarrjen e tyre në këtë marrëveshje duke i dhënë njoftim me shkrim prej një muaji partnerit zbatues dhe palës tjetër, në rrethanat si: Dështimi për të zbatuar projektin sipas këtij Memorandumi, mungesa e fondeve për të vazhduar mbështetjen e këtij projekti, një dështim i konsiderueshëm nga partneri zbatues për të përmbushur ndonjë nga zotimet në këtë memorandum, forca madhore, kur ndodhin ndryshime të cilat, sipas mendimit të palëve, dëmtojnë në mënyrë të konsiderueshme vlerën e kontributit të projektit drejt qëllimit të dëshiruar.

Memorandumet e nënshkruara e kanë kohëzgjatjen të lidhur me mandatin e Qeverisë dhe Kuvendit. Pra, memorandumet do jetë në fuqi deri në fond të mandatit të dy institucioneve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Ambasadën e Britanisë së Madhe, kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani dhe kryeministri Avdullah Hoti u zotuan për respektimin e memorandumit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott tha se puna e vështirë e marrëveshjes fillon pas nënshkrimit.

“Rekrutimet profesionale dhe transparente mbesin sfidë për Kosovën.  Raportet e auditorit janë shenja të mjaftueshme që institucionet kanë nevojë për rekrutim profesional”, tha ai.

Kryeparlamentarja Osmani u shpreh se memorandumi me ambasadën është vullnet i dyanshëm.

“Synojmë qe të rrisim transparencën, të rrisim meritokracinë në këtë provë.  Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione dhe e kemi mundësinë e hapur që të shtojmë edhe agjenci të tjera”, tha ajo.

Kurse, kryeministri Hoti deklaroi se do të sigurohen që marrëveshja të zbatohet pikë për pikë.

“Jemi zotuar që së bashku me partnerët britanikë të sigurojmë dy gjëra; transparencë të plotë dhe konkurrueshmëri.  Po përmbush një zotim te qeverisë për tu siguruar qe njerëzit qe emërohen, të lirohemi nga mania e nepotizmit. Do të sigurohemi qe marrëveshja të zbatohet pikë për pikë”, tha Hoti./Kallxo.com/.