Dokumente: I akuzuari si kapo mafioze në Turqi, merret me ndërtime dhe energji në Kosovë

Biznesmeni kontrovers turk, Sedat Peker, i cili në Turqi konsiderohet si një ndër personat më të rëndësishëm të ‘operacioneve mafioze’ që nga vitet e 90-ta, në dy vjetët e fundit ka gjetur strehim në Kosovë.

Peker e ka një leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë, por së fundmi ai është pajisur edhe me një pasaportë të Maqedonisë së Veriut, me identitet të rremë.

Megjithatë, ai nuk qëndron formalisht vetëm në Kosovë, por këtu është edhe pronar i dy bizneseve të mëdha.

Demokracia.com ka mësuar se Sedat Peker është pronar 100% i kompanisë “BOZKURT SH.P.K.”, me seli në Prizren, të cilin zyrtarisht e ka regjistruar në dhjetor të vitit 2015-të.

Ky biznes i shtetasit turk të kërkuar merret me ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore, por edhe me instalime elektrike, ndërtimin e projekteve të ujit, etj.

Megjithatë, ky nuk është biznesi i vetëm i Sedat Peker në Kosovë, raporton Demokracia.com.

Së bashku me mikun e tij, Vedat Demirozu, që nga viti 2014 ata operojnë në Kosovë edhe me biznesin “BalkanEnergy G.P SH.P.K.”, i cili kryesisht merret me prodhimin e energjisë elektrike, prodhimin e kabllove të fibrave optikë, pajisje elektroinstaluese, etj.

Para se të bëhej ortak me Sedat Pekerin, Vedat Demirozu që nga viti 2012 ishte ortak edhe me një shtetas tjetër turk të quajtur Zeka erdan Sems, raporton Demokracia.com.

Pas largimit nga Turqia, në dy vjetët e fundit, Peker gjeti strehim herë në Mal të Zi, herë në Shqipëri, herë në Maqedoni të Veriut e pjesërisht edhe në Kosovë, ku ende ka një leje të përkohshme qëndrimi me të cilën u pajis në vitin 2014.

Leja e tij e qëndrimit është valide deri më 29 dhjetor 2021.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, për herë të fundit Peker ka hyrë në territorin e Kosovës më 18 janar, 2021 dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë pas vetëm dy ditësh.

Mediat në Maqedoni të Veriut kishin raportuar se Peker ishte arrestuar të njëjtën ditë për shkak të shkeljes së lejes së qëndrimit dhe se ai ishte deportuar për në Kosovë.

Aktualisht Peker është në arrati dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Të premten, më 9 prill 2021, autoritetet e Turqisë realizuan një operacion të gjerë në të cilin u bastisën më shumë se 120 lokacione. Gjatë aksionit u arrestuan rreth 60 persona, të cilët dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Sedat Pekeri, i cili ndodhet në arrati.

Policia turke bastisi edhe shtëpinë e Pekerit, ku jeton gruaja dhe fëmijët e tij.

Më 12 prill 2021, REL i ka shkruar gruas së Pekerit, Özge Peker për të pyetur nëse di vendndodhjen e burrit të saj dhe për faktin se a vazhdojnë të kenë biznese aktive në Kosovë, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje.

Më datë 7 prill, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se ka arrestuar nëntë zyrtarë policorë, të cilët dyshohet se kanë pajisur me pasaporta false pjesëtarët e një grupi kriminal, të përfshirë në kontrabandë me drogë dhe aktivitete të tjera të paligjshme.

Sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, këta zyrtarë policorë kishin pajisur me pasaporta false 215 persona, 214 prej të cilëve shtetas të huaj.

Në mesin e atyre që kanë marrë pasaportë maqedonase, sipas MPB-së së Maqedonisë së Veriut, është edhe Sedat Peker.

Sipas MPB-së në Maqedoni të Veriut, Peker ishte pajisur me një pasaportë me identitet të rremë të një qytetari nga Shkupi me emrin Djadin Ademovski. /Demokracia.com/