Donald Trump bën thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale në SHBA

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka bërë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve presidenciale të parashikuara të mbahen në nëntor.

Këtë kërkesë ai e ka argumentuar me faktin se votimi me postë mund të çojë në manipulim dhe rezultate të pasakta.

Presidenti amerikan sugjeron shtyrjen e procesit të votimit deri sa populli të ketë mundësi të votojë siç duhet, në mënyrë sekrete dhe të sigurtë.

Deklaratën e papritur, Trump e ka bërë në një postim në Twitter, ku thekson se, zgjedhjet e vitit 2020 mund të kthehen në procesin zgjedhor më të pasaktë dhe të manipuluara në histori.

“Do të jetë një turpërim i madh për SHBA. Shtyrje të zgjedhjeve deri sa njerëzit të mund të votojnë në mënyrën e duhur, të fshehtë dhe të sigurtë?”, shprehet presidenti amerikan.

Gjithashtu Donald Trump thotë se, votimi me postë mund të çojë në ndërhyrje të jashtme.

Në fillim të këtij muaji, 6 shtete në SHBA po planifikojnë që të zhvillojnë të gjithë procesin zgjedhor me postë, ku mes këtyre vendeve janë California, Utah, Hauai, Colorado, Oregon dhe Uashington.

Të gjithë këto shtete do të dërgojë automatikisht fletët e votimit tek votuesit e regjistruar për t’u kthyer më pas ditën e zgjedhjeve, edhe pse votimi me kuti mund të jetë opsion në rrethana të kufizuara.

Aktualisht, gati gjysma e vendeve në SHBA lejojnë votuesit e regjistruar që të dërgojnë voton e tyre me postë, por kjo mundësohet me kërkesë paraprake.

Kritikët e votimit me postë thonë se, njerëzit mund të votojnë më shumë se njëherë, pavarësisht se studimet e kryera në vite nuk tregojnë të ketë ndodhur një gjë e tillë në të kaluarën gjatë votimeve me këtë mënyrë.