Dorëzohet Bordi i ZRRE-së, shfuqizon tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit të Energjisë(ZRRE), ka marrë vendim sot që të shfuqizojë tarifat e shtrenjta të energjisë elektrike.

Nga ky dikaster përmes një komunikate për media kanë bërë të ditur se vendimi për të shfuqizuar tarifat e shtrenjta është marrë pasi Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore.

ZRRE vendimin për të rritur tarifat e kishte marrë më 8 shkurt të këtij viti.

Njoftimi i plotë:

ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses.

Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit.