Drejtori i arsimit në Prizren kundër SBASHK-ut, mësimi përfundon me 28 Qershor

Drejtori i Arsimit në Prizren, Gani Gërmizaj, gjatë ditës së premte është prononcuar rreth çështjes së përfundimit të procesit mësimor në shkollat e kësaj komune. Ai ka thënë se viti shkollor 2018-2019 do të përfundoj me datën 28 Qershor, sipas vendimit që ka marrë ditë më parë ministria e Arsimit. Për këtë çështje, ai thotë të ketë informuar drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit, dhe ka kërkuar nga këta të fundit që të respektojnë vendimet e marra.

Ai më tej tha se, njoftimi i SBASHK-ut se sot në Kosovë do të përfundoj viti shkollor është i dëmshëm, dhe kërkoi nga mësimdhënësit që mos të bien pre e politikave të kësaj Sindikate, duke pasur parasysh në radhë të parë të gjitha problemet që e kanë përcjellur këtë vit mësimor, theksoi ai. Drejtori Gërmizaj, gjatë ditës ka vëzhguar nga afër edhe procestin e pjesës së dytë të Testit të Maturës Shtetërore, dhe e ka vlerësuar të suksesshme mbarëvajtjen përfundimtare të këtij procesi në Prizren.

Ndryshe, dje kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka njoftuar se, vendimi i ministrisë së Arsimit se procesi mësimor përfundon më 28 qershor është i papranueshëm dhe se nuk do të ketë kompensim të orëve pasi që institucionet nuk kanë korrigjuar ndryshmet e koeficienteve për mësimdhënësit, duke njoftuar se për këtë Sindikatë, procesi mësimor përfundon të premtën me 21 Qershor, një javë më herët se vendimin që ka marrë MASHT për përfundimin e këtij viti shkollor.