Drejtori i Shëndetësisë jep detaje për rastin me COVID-19 në Prizren

Në Komunën e Prizrenit deri më sot janë konfirmuar katër raste me coronavirus, dy raste janë paraqitur në Prizren dhe dy në fshatin Korishë.

Personi i parë i prekur me COVID-19 është shëruar ndërsa njëra prej të prekurve ka vdekur dje si pasojë e gjendjes së rënduar. Tashmë në Prizren janë dy raste aktive me COVID-19.

Drejtori i Shëndetësisë Visar Shehu në një intervistë ka njoftuar se rasti i cili ka rezultuar pozitiv mbrëmë është me vendbanim në qytetin e Prizrenit, dhe kjo është konfirmuar nga IKSHP-ja.

“ Rasti që ka rezultuar pozitiv mbrëmë është sigurisht rast i kontaktit, ndërsa nuk dihet akoma burimi i infeksionit në fjalë, por është e ditur se ky nuk është rast i importuar “ ka njoftuar drejtori Visar Shehu, ndërsa sipas tij ekipet përgjegjëse menjëherë kanë filluar hulumtimin për identifikimin e rasteve të mundshme të kontaktit që mund të rrjedhin nga ky rast.

Personi i prekur me COVID-19 në Prizren është zyrtar publik, dhe është punëtor i Doganës në pikën kufitare në Vërmicë në kufirin Kosovë – Shqipëri.

Katër doganierë tjerë që mund të kenë pasur kontakt me personin e prekur nga virusi, do të testohen sot, ndërsa nesër do të testohen edhe 5 doganierë tjerë dhe familjarët e afërt që kanë pasur kontakt me personin e prekur nga COVId-19.

“ Gjithashtu në ditët në vazhdim do të hulumtohen dhe do të testohen personat që mund të kenë pasur kontakt me pacientin “ njoftoi Drejtori i Shëndetësisë.

I njëjti sqaroi se personi tashmë është në vet izolim dhe e ka gjendjen e mirë shëndetësore, dhe nuk ka nevojë për hospotalizim andaj gjendjen e tij do ta përcjellin ekipet mjekësore të Prizrenit.

Personi që ka rezultuar pozitiv me COVid-19 ka qenë në vizitë para dy dite në urgjencën e Prizrenit, ku edhe ka shfaqur simptomat e virusit andaj edhe nga stafi mjekësor është rekomanduar që të vet izolohet në shtëpi në pritje të rezultateve.

Drejtori i Shëndetësisë njoftoi se stafi mjekësor që ka pranuar në vizitë pacientin kanë qenë me masa mbrojtëse dhe nuk rrezikojnë që mund të jenë infektuar.