Drejtoria e Administratës me informacion të rëndësishëm për qytetarët e Prizrenit

Drejtori i Administratës në Prizren, Osman Hajdari, përmes një konference për medie ka njoftuar se për shkak të realizimit të fazës finale të projektit madhor “ One stop shop”, nga dita e hënë e javës në vijim do të bëhet zhvendosja e sporteleve të shërbimeve administrative. Ai njoftoi se nga kati i parë i objektit të administratës do të zhvendosen zyra e gjendjes civile dhe ajo pritëse, sektori i mbeturinave, sporteli për taksat rrugore dhe ato komunale, zyra e tatimit në pronë, drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe ajo e Inspektorateve si dhe zyra e komuniteteve.

Sipas tij, shërbimet administrative nga zyra e gjendjes civile dhe ajo pritëse do të kryhen në sallën e edukatës fizike të gjimnazit “ Remzi Ademaj”, ndërsa në drejtorinë për Ekonomi dhe Financa do të kryhen shërbimet nga sektori i mbeturinave, ai për taksa rrugore dhe komunale dhe tatimi në pronë. Drejtoria e Mirëqenies Sociale dhe Zyra për Komunitete do të zhvendosen në Qendrën për Punë Sociale, ndërsa Inspektorati do të transferohet në ish objektin e “ Turist Kosova”, njoftoi drejtori, Hajdari.

Drejtori Hajdari, lidhur me këtë vendim kërkon mirëkuptim nga qytetarët, duke i siguruar ata se edhe pse në objekte të ndryshme nga ato që janë mësuar të iu kryhen shërbime, atyre do të iu ofrohen shërbime cilësore. Ky zhvendosje e këtyre shërbimeve , sipas drejtorit Hajdari, do të jetë deri në fund të muajit nëntor, ndërsa nga 1 janari pritet të fillojë projekti i shërbimit “ One stop shop” për qytetarët.