Dritan Abazoviq merr legjitimitetin për idenë e qeverisë së pakicës, gati për ta drejtuar Malin e Zi

Këshilli Drejtues i URA-s i ka dhënë mandat drejtuesve të partisë që të hapin konsultimet me partnerët për zgjidhje politike të krizës në Mal të Zi përmes modelit të qeverisë së pakicës.

Partia e ulqinakut, Dritan Abazoviq vlerëson se në këtë moment zgjidhje optimale është dalja nga kriza politike, shkruan Demokracia.com.

“E kemi mbështetur qeverinë në të gjitha kohërat, ajo ka pasur ngecjet e saj por edhe disa rezultate të mira, kurse në korrik pas mosmiratimit të Këshillit Prokurorial në Kuvend është parë se ajo nuk mund ta vazhdojë më rrugën e saj në formatin ekzistues. URA ka qenë opsioni i vetëm që më gjithë potencialin e saj e ka mbështetur dhe e ka mbajtur në këmbë qeverinë. Megjithëkëtë, Krivokapiq dhe ministrat e tij gjatë kësaj kohe kanë dashur që URA-n ta largojnë nga qeverisja. Gjatë gjithë kësaj kohe URA nuk ka dashur që shtetin ta shtyjë në pasiguri dhe të nxis krizë qeveritare derisa mos të miratohet buxheti”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, me Qeverinë Evropiane duhet që të zhbllokohet rruga e Malit të Zi drejt integrimeve evropiane.

Ura dhe CIVIS më 17 janar shpalosën propozimin e tyre për krijimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike në Malin e Zi.

Këto dy parti janë pjesë e koalicionit aktual qeverisës, ku bëjnë pjesë edhe partia pro-serbe, Fronti Demokratik dhe Demokratët dhe kanë 41 ulëse nga 80 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi, raporton Demokracia.com.

Partia e Gjukanoviqit ka thënë se do të përkrahë çdo nismë që çon në largimin e Qeverisë së Krivokapiqit.

Për shkarkimin e Qeverisë së Malit të Zi kërkohen votat e 41 deputetëve. Me mbështetjen e partisë së Gjukanoviqit, që ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Qeveria e Krivokapiqit, e cila ka një votë më shumë se sa duhet në Kuvend, ka humbur mbështetjen e shumicës qeverisëse, kryesisht të partisë pro-serbe, Frontit Demokratik (DF).

Megjithatë, Fronti Demokratik nuk ka nisur asnjëherë një nismë formale për të shkarkuar Qeverinë, e cila nuk ka pasur mbështetjen e kësaj partie që nga mesi i vitit të kaluar.

Ndër të tjera, DF-ja nuk është pajtuar me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën në Parlamentin e Malit të Zi, si dhe me shkarkimin e ministrit Vlladimir Lleposaviq për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

Qeveria e Zdravko Krivokapiqit u zgjodh më 4 dhjetor 2020 me votat e Frontit Demokratik, Demokratëve dhe Lëvizjes Qytetare Ura si qeveria e ekspertëve, kurse i vetëm politikan në të është kreu i Lëvizjes Ura, Dritan Abazoviq.

Qeverinë e pakicës pritet ta udhëheqë Dritan Abazoviq si kryeministër. /Demokracia.com/