Dua Lipa jep donacion për shkollën e muzikës në Prishtinë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka njoftuar se këngëtarja e me famë botërore nga Prishtina, Dua Lipa, ka dhënë donacion për Shkollën e Muzikës Prenk Jakova.

I pari i kryeqytetit gjithashtu ka njoftuar se lokacioni i ri i kësaj shkolle do të jenë hapësirat në Pallatin e Rinisë, të cilat deri më tani janë shfrytëzuar nga ASK.

Ahmeti ka deklaruar se në të njejtat hapësira do të jetë edhe Sunny Hill Academy ku do të investohet në Rehearsal Studio dhe Recodring Studio me instrumente për talentët e artit dhe muzikës.

“Me Dua Lipa dhe Sunny Hill Foundation sot nënshkruam marrëveshjen për donacionin që Fondacioni e bën për këtë hapësirë – 150 mijë Euro. Shpejtë fillon projektimi i hapësirave për Shkollën, Akademinë dhe Bonevet për të rrumbullakësuar një projekt për rininë e Prishtinës dhe Kosovës”, ka shkruar Shpend Ahmeti, në profilin e tij.