Duda Balje: Do ta votojë Kurtin për kryeministër e Osmanin për presidente

Kryetarja e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, Duda Balje thotë se do të votojë Albin Kurtin për kryeministër e Vjosa Osmanin për presidente.

Në një prononcim për televizionin publik të Kosovës ajo foli për qeverinë e ardhshme të vendit.

“Unë e votoj zotin Kurtin për kryeministër pasi që ka marrë kaq shumë vota. Edhe zonjën Osmani e votoj për presidente”, ka thënë Balje.

Balje ka reaguar ndaj një shkrimi të kandidates për deputete nga komuniteti boshnjak Adriana Hoxhiq e cila tha se do të bëjë gjithçka që të dëshmojë se Kosova nuk është shtet i së drejtës.

Balje përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se ata që deklarojnë se Kosova është shtet jo ligjor kanë probleme serioze me demokracinë dhe drejtësinë.

Ndërkohë bartësi i listës së Lëvizjes Përparimtare të Romëve të Kosovës, Erxhan Galushi ka konfirmuar se do të votojë pro Qeverisë Kurti.