Duka i del në ndihmë futbollit preshevar

(nga TopSporti.com) – Kreu i FSHF-së, Armand Duka, është takuar sot në Tiranë me drejtuesit e ekipit KF Lugina nga Presheva, të cilët kanë shprehur vështirësitë që i kanë dhe kanë kërkuar mbështetje nga shtëpia e futbollit të Shqipërisë.

Pas dëgjimit të kërkesave nga kryetari i KF Lugina, Nagip Jakupi dhe sekretari Ardian Agushi, FSHF ka pranuar që t’ua plotësojë të gjitha kërkesat, si: Pjesëmarrja e klubit futbollistik Lugina në Kupën “Pavarësia”; Mbështetje nga FSHF për Klubin Lugina në bazë materiale (uniforma,topa etj); Pjesëmarrja në seleksionimet e grupmoshave në FSHF; Licensimet e Trajnerëve, UEFA C dhe UEFA B në FSHF, si edhe trajnimet për Arbitrat.

Për më tepër, Duka ka pranuar edhe ftesën që ia bënë drejtuesit e KF Lugina për të vizituar Preshevën dhe për tu njohur nga afër me vështirësitë e futbollit të atjeshëm.