Dy parti dorëzojnë në KQZ listën e kandidatëve për deputetë

Nesër përfundon afati, mirëpo deri më tani vetëm dy subjekte kanë dorëzuar listën për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Nesër është afati i fundit për partitë politike për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Deri më tani vetëm dy parti politike e kanë dorëzuar këtë listë në KQZ.

Kështu ka bërë të ditur për RTK, Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

“Dy subjekte politike kanë dorëzuar aplikimin për t’u certifikuar dhe listën e kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Bëhet fjalë për Partia Rome e Bashkuar e Kosovës (PRBK) e cila ka dorëzuar listën me 27 kandidatë dhe Jedinstvena Goranska Partia (JGP) ka dorëzuar listën me emrat e 13 kandidatëve për deputetë”, ka thënë Elezi.